Princi Leka II, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë, është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të 45-të të SHBA-ve, Donald Trump.

Pas shumë debateve dhe përpjekjeve të zyrtarëve shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët për herë të parë anblok, u përjashtuan nga një ceremoni e tillë kryesisht pasi mbajtën qëndrim të hapur kundër zgjedhjes së Trump si President, ftesa për Princin Leka është zyrtare dhe ajo është bërë nga Martin J. Golden, sekretar i Konferencës, njëherazi edhe senator i distriktit të 22-të në shtetin e New York-ut.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në inaugurimin e presidentit amerikan Trump u bë një çështje e madhe, e para sepse zyrtarët e dy shteteve shqiptare nuk morën ftesa, madje as private, sikurse as zyrtare, dhe e dyta nga arrestimi i kryetarit të AAK-së, ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili po udhëtonte për në SHBA për të marrë pjesë pikërisht në këtë ceremoni. Princi shqiptar është i ftuar i nderit në këtë inaugurim, i cili mbahet me 20 janar. Respekti për familjen mbretërore shqiptare duket në rritje të vazhdueshme.

Ftesën e ka shpërndarë edhe Elia Zaharia Zogu, duke e cilësuar si vlerësim nga ana e zyrtarëve të Amerikës.

Voal.ch