Armina Mevlani është bombarduar nga pyetjet e fëmijëve mbrëmjen e kësaj të hëne në Piter Pan. Pothuajse të gjithë fëmijët ishin të fokusuar te bashkëjetesa dhe raporti i saj me familjen Berisha. Edhe pse është gjendur shpesh përballë pyetjeve për lidhjen e dashurisë me djalin e ish-Kryeministrit Berisha, Armina nuk e ka problem edhe t’i rikthehet nga fillimi kësaj historie që për të duket sikur bëhet më e bukur pas rrëfimit.

Megjithatë, veç dashurisë së Shkëlzenit, publiku është gjithmonë kureshtar të dijë se si shkon Armina me dy prindërit e tij. Edhe për këtë marrëdhënie blogerja e njohur ka rrëfyer se është korrekte dhe e respektuar nga të dy palët: “Ndihem shumë mirë, është një familje tradicionale, ka shumë dashuri brenda, bëjnë gatime shumë të mira…” – thotë Armina pas pyetjes së fëmijëve të Piter Panit si ndihet si nuse në një familje tropojane. 

Ndërsa në një pyetje pikane që e vuri përballë zgjedhjes së Lirisë dhe Sali Berishës, me cilin shkon më shumë, Armina tha: “Me të dy njëlloj, por me Lilin (kështu i thërret ajo) jemi më shumë të afërta, të dyja femra, flasim më shumë, më mëson gatimet e veta, rrimë më gjatë bashkë.”

Cila është formula që Armina ka mësuar prej zonjës Berisha? Për këtë blogerja thotë se para një jave, ajo kishte bërë një tortë me mollë, e cila i kishte pëlqyer shumë: “I kërkova të ma mësojë dhe mua. Tani jam duke u përpjkur ta bëj më të mirë…” – tha ajo me të qeshur.

Por me zotin Berisha, doktorin, siç e quan ajo? Edhe me të shkon shumë mirë, madje, në daljet e saj televizive, i ndodh që ai t’i japë këshilla dhe ajo t’ia dëgjojë.

Ah, pyetja e radhës për të “Si ia lan këmbët zotit Berisha?” “Ai me flori e meriton t’ia lash” – u përgjigj dhe pas kësaj përgjigjeje, nuk ka më asnjë kureshtje për raportin e tyre të ngushtë.