Një foto duke bërë shqiponjën me duar i ka kushtuar shumë këngëtares Eleni Foureira, e cila përfaqësoi Qipron në Eurovision dhe u rendit në vend të dytë. Pak pas fotos, mediat greke e kryqëzuan këngëtaren shqiptare dhe nuk i lanë me aq akuzat.

Edhe pse i gëzoi të gjithë shqiptarët, fotoja me Gentin u konsiderua si gjest provokues nga Eleni, madje pas saj pati edhe kërcënime nga mediat greke, të cilat shkruanin se këngëtarja rrezikonte edhe shtetësinë.

Duke folur për eksperiencën e Eurovisionit në televizionin “Star TV”, Eleni reagoi edhe për sulmin që iu bë pasi bëri simbolin e shqiponjës me përfaqësuesin e Shqipërisë, Eugent Bushpepën.

Gjithë këto emisione më bënë mbeturinë vetëm që të nxirrnin ndonjë lajm kryesor, duke mbështetur lajme të pavërteta. Më tronditi shteti që dua, që kaq papritur të kthehen të gjithë kundër meje. Kjo më lëndoi më shumë. Asnjëri nga ata racistë që dikur më bënë të ndiej turp dhe të kem frikë të them se kush jam në të vërtetë, nuk do më bëjnë të urrej Greqinë”, - tha Eleni për mediat greke.

Akuzat ndaj saj, Eleni i përjetoi shumë keq gjatë qëndrimit në Lisbonë. Një prej gazetarëve që ishte së bashku me grupin, ka thënë për mediat se këngëtarja i përjetoi aq keq lajmet që u shkruan ato ditë për të, saqë edhe është mbyllur në dhomë dhe ka qarë për orë të tëra.