Ajo e quan legjendë, dhe nuk mund të jetë ndryshe! Reperi më i famshëm i muzikës botërore, që numëron miliona disqe muzikore të shitura ndër vite, ka qenë përkrah artistes me origjinë shqiptare, e cila gjithashtu po ndërton një karrierë të admirueshme në skenat më prestigjioze të botës.

Dhe nuk mund të ketë dyshime! Bebe Rexha dhe Eminem kanë performuar bashkë në festivalin e Coachella-s, i cili është kthyer në një traditë të përvitshme artistike, duke mbledhur artistët më në zë të momentit. Një prej tyre ishte edhe Beyonce, e cila interpretoi 26 këngë hit nga repertori i saj.

Por, këngëtarja shqiptare nuk e ka fshehur entuziasmin që për herë të parë mund të këndonte përkrah një artisti si Eminem. Në instagram, ku ajo ka postuar foto dhe video gjatë nga performanca e dyshes fantastike, Bebe ka shkruar: "Nata e mbrëmshme ishte një film. Këndova një këngë që më ndryshoi jetën, pikërisht me legjendën. Gjithçka rrotullohet dhe kthehet në një cikël të plotë".

Le të mos harrojmë që këngëtarja e njohur ka publikuar disa këngë të reja të sukseshme që i shtohen gamës së këngëve të njohura që ajo ka lançuar deri tani.