I ftuar pak kohë më parë në “Lart e poshtë”, në RTSH, aktori i njohur i humorit Elvis Pupa, tha se programin që nisi në Digitalb do ta vazhdojë, por pa dhënë shumë detaje për ekranin, për emrin e ri apo për planet që do të konkretizojë së shpejti. Këtë herë, Visi tha se do të ketë edhe rolin e producentit.

I pyetur për ‘bashkëshorten’, Egla Ceno, nëse është divorcuar nga ajo, Visi tha: “Kur të krijoj një agjenci divorci, atëherë do të ndahem nga Egla”, duke lënë kështu të kuptohet se bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë.

Që "martesa" e tyre do të vijojë, e ka konfirmuar pasditen e sotme edhe vetë aktorja Egla Ceno, nga studio e “Rudina”, ku ishte e ftuar për të promovuar projektin e saj të ri në Teatrin e Metropolit, "Natën ma".

Pasi ndau me publikun një pjesë të ekasperiencave të saj më të mira në vite, Egla u ndal më shumë në pothuaj 4 vitet e fundit pas kthimit në Shqipëri nga Italia. Mes filmit dhe teatrit, Egla e ka vështirë të zgjedhë, megjithatë pranon se ‘teatri është dashuri’.

Po me Visin çfarë do të ndodhë?

Për rolin i cili i dha famë të menjëhershme dhe jashtë parashikimeve, Egla tha se do të vazhdojë: “Jemi në telefonata me Visin, po presim të mbarojmë gjërat tona dhe kemi ndër mend që ta vazhdojmë, do ta vazhdojmë” – tha ajo me bindje për shfaqjet me të cilat, ajo dhe Visi bënë për vete të gjithë publikun.

Një martesë e prekshme, e vërtetë e të gjithëve, e pazbukuruar dhe para syve të të gjithëve është ajo që, më shumë se gjithçka, tërhoqi vëmendje në publik. Personazhe të vërtetë që flasin e bëjnë gjëra të vërteta.