13 shkurti i vitit të kaluar ishte një ditë e mrekullueshme për çiftin Almeda – Tolgahan. Ky i fundit i kishte përgatitur një dhuratë aspak të zakonshme në Los Angeles për 25-vjetorin e lindjes partneres së tij: martesën.

Të gjithë miqtë e ngushtë dhe të afërmit kishin udhëtuar përtej oqeanit disa ditë më parë për të marrë pjesë në ditën speciale të Almedës dhe aktorit të njohur turk. Festa private ishte e jashtëzakonshme, dita më e lumtur e quajtën ata. Nusja, me krenarinë e një shqiptareje, e bëri dhëndrin edhe të këndojë, por edhe të kërcejë shqip. Dhe sa shumë i shkonte Tolgahan-it napoloni…

Sot, një vit pas martesës, të dy janë më të lumtur se kurrë. Aktori u është rikthyer roleve në serialet e njohur turke, ndërsa Almeda po merret me projekte të tjera televizive, të cilat do t’i vërë shpejt në jetë.

Profilet sociale gjatë këtij viti janë pasuruar me foto të ëmbla të çiftit, nga jeta private apo edhe evente të rëndësishme artistike.

Edhe sot, të dy kanë postuar nga një foto të dasmës, një vit më parë, për të kujtuar përvjetorin e parë, por edhe për t’i dedikuar të zgjedhurit të jetës fjalë zemre.

Tolgahan, me fjalët më të ëmbla të dashurisë, i ka uruar Almedës ditëlindjen dhe dashurisë së tyre përjetësi.