Ngacmimet seksuale në Hollywood janë kthyer në çështje dite në të gjithë globin. Jo vetëm se pas këtyre skandaleve po dalin emra personazhesh të famshëm, por edhe sepse fenomeni, gjithmonë i pranishëm në radhët e botës së showbiz-it, i ka rrënjët të thella.

Viktimë e provokimeve seksuale kanë rënë edhe vajzat e njohura të showbiz-it shqiptar. Natyrisht, pjesa më e madhe e këtyre rasteve thuhen nën zë, por, marrë shkas edhe nga buja e skandaleve në Hollywood, një pjesë e vajzave të njohura nuk kanë nguruar ta pranojnë fenomenin si real edhe në Shqipëri. Madje, edhe aktoret e njohura të filmave të hershëm shqiptarë, e kanë pranuar se edhe në kohën e tyre ngacmimet ekzistonin, pavarësisht masës.

Sonte, nga studio e Opinion, ku është diskutuar fenomeni i ngacmimeve seksuale në Hollywood, Einxhel Shkira, e pranishme në panel, ka rrëfyer se në moshë shumë të re, ajo është terrorizuar nga një femër e njohur, e cila ka dashur ta prezantojë me meshkujt shumë më të mëdhenj në moshë. Duke treguar rastin, Einxhel tha se ishte adoleshente kur i është ofruar “të bëjë qejf” me një tufë burra: “Një person i njohur, femër madje, jo mashkull, ka dashur që për hir të famës, të bënim gjëra të pahijshme ose të na prezantonte me njerëz më të mëdhenj në moshë që kishin kënaqësira të ndryshme. Kjo gjë mua më ka terrorizuar. Kam qenë 14 vjeç dhe më ka terrorizuar. Më janë dashur 10 vjet që të rikthehesha te dëshira ime për t’u marrë me televizion”, – tha Einxhel për Opinion.

E pyetur nga të ftuarit e tjerë në panel për identitetin, Einxhel tha se emrin e saj do ta thotë në një kohë tjetër: “Emrin e këtij personi, në një moment kur të jem shumë e fuqishme, patjetër që do ta them. Por tek unë kanë lënë mbresa edhe ato fjalë që ka thënë ajo, “po do shkojmë, po do bëjmë qejf, pse të mos bëjmë qejf?” – tha Einxhel.

Sot, Einxhel thotë se i kujtohet çdo fjalë që ka thënë ajo dhe, pas 10-vjetësh, është bindur për t’iu rikthyer televizionit: “Kjo quhet ta marrësh për dore gocën 14 vjeç dhe ta çosh te një tufë me burra” – shtoi Einxhel duke theksuar se, për fat të keq, fenomene të tilla vijojnë të ndodhin edhe sot.