Një rikthim i mundshëm i Sonila Meços në vend të Sokol Ballës në Top Channel ishte gati i besueshëm nga opinioni publik, jo vetëm për profilin mediatik të Sonilës, por edhe sepse gazetarja dhe moderatorja e njohur e ekranit ka zgjedhur që të jetë e tërhequr për më shumë se dy vjetësh pikërisht për një rikthim të përshtatshëm për imazhin e saj.

Me sa duket, kjo ditë ende nuk ka ardhur, me gjithë lajmet e ditëve të fundit. Sonila nuk do të kthehet për momentin dhe këtë e ka konfirmuar vetë përmes një postimi të fundit në profilin e saj në Facebook.

Interesit të publikut gjatë këtyre ditëve, Sonila i përgjigjet: “Për një gazetar, kulmi profesional arrin kur emri i tij lidhet me emrin e medias më të fuqishme e të rëndësishme në vend. Kjo më ka bërë të ndihem mirë dhe të përjetoj pozitivisht çdo lajm apo lajm të rremë që ka qarkulluar me emrin tim.

Prej 2 vitesh e gjysmë, që nga koha e mbylljes së Agon Channel, kam zgjedhur të qëndroj larg ekranit, për t’i qëndruar kësisoj larg ‘kazanit’ në rastin më të mirë, ose mediave të regjimit në rastin më të keq. Andaj edhe rikthimi im, kurdo që ai të ndodhë, do të jetë në një media të lirë, as ‘kazan’ e as media regjimi”

Me këtë, Sonila e tha qartë. Nuk ka ndërmend të rikthehet aty ku është përfolur më shumë.