Një jetë mes kinemasë dhe teatrit ka bërë që edhe miqtë të jenë të shumtë për aktoren e njohur Rajmonda Bulku, por janë të paktë ata që janë të ngushtë, siç është edhe Mimoza Mevlani, e ëma e Armina Mevlanit.

Moza, një prej mikeshave më të ngushta të Bulkut, ka surprizuar sot aktoren përmes një videomesazhi në “Rudina”, ku Rajmonda ishte e ftuar.

Pasi tha se miqtë e rrethit të ngushtë janë të paktë, Rajmonda pranoi se zakonisht, ata me të cilët mund të ndash gjithçka janë përgjithësisht jashtë profesionit. Ende pa e parë mesazhin e mikeshës së saj të ngushtë, Bulku tha se Mevlani është për të më shumë sesa mikeshë, madje shpeshherë ato e quajnë njëra-tjetrën motra: “Unë, përgjithësisht jam tip i qetë dhe jokonfliktuale dhe kam shumë miq. Mimoza Mevlani për mua nuk është mikeshë, është më shumë sesa mikeshë”,- tha Bulku duke kujtuar se me Mozën është lidhur më shumë pasi ajo u bë pjesë e artit, kur ishte balerinë e ishte pjesë e trupës artistike.

Si fillim, Rajmonda tha se ajo kishte qenë shoqe e ngushtë me motrën e Mimozës, por sapo ato të dyja u bënë kolege, nuk u ndanë më asnjëherë.  

Ndërkohë Mevlani uroi aktoren për premierën në teatër duke e quajtur mikeshë që nuk do donte ta ndante me dikë tjetër. “Monda të përshëndes, jam tek vendi ku ne ndajmë kafet e mëngjesit, bisedat tona. Tek ty kam gjetur jo vetëm njeriun e dashur por edhe një mikeshë që nuk do ta ndaja me dikë tjetër. Unë gjej momentin për të të uruar suksesin e radhës në teatër”,- tha Mevlani.