Sherri virtual me Samanta Karavellën, e bëri Marsela Çibukajn një prej emrave më të përmendur një vit më parë, pas një statusi që artistja postoi në llogarinë e saj për muzikën, këngët dhe sidomos këngëtaret shqiptare të viteve të fundit.

E njohur për zërin e veçantë dhe profilin e zgjedhur artistik, të cilin ka dashur ta përfaqësojë gjithmonë me dinjitet, Marsela ka spikatur ndër shumë këngëtare që, ndryshe nga ajo, preferojnë të përdorin edhe “aksesorë” të tjerë për të qenë në qendër të vëmendjes.

Opinion e saj për muzikën e ditëve tona, për trendet që jo gjithmonë janë ato që duhet të përfaqësojnë muzikën e mirë, Marsela e ka shprehur gjithmonë hapur. Këtë e bëri edhe një vit më parë, ndërsa, pas shumë këngëve që kishte dëgjuar, shkroi një status të gjatë për të gjitha artistet që, më shumë se te zëri dhe muzika e mirë, fokusohen te pamja, ekspozimi dhe, shpeshherë, edhe te zhveshja.

Këtë bëri edhe në atë rast, por reagimi i Samantës ishte i menjehershëm, madje edhe pak i ashpër kundrejt Marselës, e cila, siç edhe sqaroi, nuk kishte agjë personale, nuk përmendi asnjë emër e aq më shumë, nuk iu drejtua një njeriu të vetëm.

Duke e sqaruar edhe një herë sherrin virtual me Samantën edhe sot, nga studio e Pop Culture, pas pyetjes së Kelvit ç’pati me Samnatën, Marsela theksoi se, në asnjë rast nuk kishte asgjë me të: “Unë dëgjoj dhe jap përshtypjen time për këngët, flas për muzikën, në Facebook-un tim jam e lirë të shpreh mendimin tim, pa ofenduar askënd.”

Por, me sa duket, Samanta reagoi sepse u ndie e përfshirë në atë status: “Unë nuk e kisha me Samantën. Samanta u kthye, sepse i dogji vetë” – tha Marsela duke theksuar se ajo, vitet e fundit në muzikë ka vënë re dendur ritmin reggae, i cili, sipas saj nuk u shkon të gjithëve, gjuhën gege, e cila te disa këngëtarë ngjan e shëmtuar, dhe ka të gjithë të drejtat ta shprehë hapur mendimin e saj. Natyrisht, Marsela nuk e mendoi reagimin e Samantës, por ajo për të cilën i vjen më shumë keq ishte fjalia e Samantës: “Ku ishe ti kur mua më gjykonin mjeshtrit e mëdhenj të muzikës”: “Unë  mendoj se nuk duhet të gjykojmë në këtë mënyrë, sepse nuk jemi këtu për të thënë ku ishe ti…

Unë dua që të jetë 100 për qind live dhe jam pak gjykuese ndaj ekspozimit të tepërt dhe ky manipulimi i gjinisë femërore më duket i tepërt. Unë jam pak më tej. Do të doja të mos kishim nevojë me ekspozime…” – thotë Marsela ndër të tjera për Pop Culture.

Pyetjes nëse pas atij reagimi a janë sqaruar gjërat me Samantën, Marsela tha se po: “Me Samantën jemi sqaruar. Jemi takuar në një event privat dhe Samanta u afrua vetë… Mendoj se jemi shumë të shpejtuar të gjithë, por mendoj se edhe njerëzit nga shtëpitë, disa gjëra që fliten online i marrin jetësore.”