Të gjithë ata që e kanë ndjekur me kujdes Instagramin e Ardit Gjebreas, me siguri kanë mësuar se cila do të jetë surpriza e madhe e Këngës Magjike. Ka shumë vite që të gjithë dashamirësit e muzikës së tij ia kërkojnë një këngë të re, aq sa edhe vetë Arditi e ka përmendur shpesh kërkesën e tyre. Një pjesë gati-gati e kanë harruar profesionin e vërtetë të producentit të njohur. Një pjesë tjetër, mes tyre edhe vetë Anna, vajza e Arditit, e  kanë njohur atë vetëm si prezantues dhe si producent.

Koha e pritjes mori fund. Pak ditë më parë, Arditi postoi një foto nga Instagrami i tij në studion e Darko Dimitrov, me të cilin ka përgatitur surprizën e madhe të finales së Këngës Magjike. Dhe është një këngë e re, por jo vetëm kaq. Është një këngë me Anën.

“Për ty”, kënga e mezipritur do të jetë surpriza e madhe e Arditit dhe e Annës natën finale të Këngës Magjike, të shtunën, më 9 dhjetor.

Këtë e ka konfirmuar vetë Gjebrea në Instagramin e tij, pas pyetjes së njërës prej ndjekësve: “Po këngën tënde të re kur do ta dëgjojmë?” “Të shtunën”, – ia kthen Arditi duke zbuluar kështu një prej surprizave më të mezipritura të publikut.