Aktori i njohur turk, Tolgahan Sayisman, dhe bashkëshortja e tij shqiptare, Almeda Abazi, janë dëmtuar si shumë artistë të tjerë nga uragani “Irma” që goditi ditët e fundit Amerikën. Almeda dhe Tolgahan, një vit më parë blenë dy shtëpi, një në Miami dhe një në Los Angeles – aty ku edhe kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre, më 13 shkurt të këtij viti.

Sipas mediave turke, vetëm një javë më parë, aktori ka investuar edhe për dy shtëpi të reja po në Miami, njëra me vlerë 385 mijë dollarë (në provincë) dhe 210 mijë dollarë për shtëpinë e dytë. Por kush e kishte parashikuar që uragani që përfshiu Floridan, do të shkatërronte edhe shtëpinë e tyre? Vetë Tolgahan, pasi mësoi për dëmin e madh që u bë, tha: “Sikur ta kisha parashikuar katastrofën, nuk do ta kisha bërë të gjithë këtë investim…”

Megjithatë, aktori tha se çdo gjë që ndodh, e ka një arsye dhe një të mirë. Mjafton, shtoi ai, të mos ketë dëme në njerëz - të tjerat zgjidhen.