“Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë…”, vargu i famshëm i grupit “West Side Family”, sot është përsëritur për Landi Hysin, i cili në një ditë si kjo, është përballur me gjithçka. Që në orët e para të mëngjesit kanë nisur urimet për ditëlindje, lulet dhe dhuratat, një pjesë të mirë të të cilave ai i ka ndarë edhe me miqtë virtualë.

Një dhuratë që e ka surprizuar është ajo e Kryeministrit Rama, i cili i ka dërguar Landit një shishe verë me urimin e ditëlindjes bashkëngjitur. Landi e tregon përmes një videoje duke i shprehur kreut të qeverisë mirënjohjen.

Por surpriza më e bukur i erdhi nga përfaqësuesit e Down Syndrome Albania, organizata pranës së cilës Landi është angazhuar prej vitesh duke dhënë kontributin e tij në ndihmë të të prekurve nga kjo sindromë. Emanuela Pepkola Zaimi, së bashku me disa përfaqësues të DSA, i kanë përgatitur Landit një buqetë me lule dhe janë nisur t’ia urojnë ditëlindjen në lokalin ku ai ishte ulur për kafe.

I emocionuar, Landi tha se këtë nuk e kishte pritur të ndodhte. Edhe pse nuk ka dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes, këtë emocion nuk mund ta mbante vetëm për vete.