Gjykata e Apelit ka marrë vendim për shtetasin Besmir L. i cili përndiqte moderatoren Luana Vjollca dhe u arrestua pas një konflikti me shokun e saj në Tiranë, teksa donte të ndalonte Luanën, në maj.

Sipas gazetës Panorama, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, më datë 19.5.2017. Në atë kohë, djali 32 vjeçar, u dënua me burg për përndjekje dhe mbajtje të armëve pa leje.

Armën ai e kishte me vete ditën kur tentoi të ndalonte Luana Vjollcën e cila ndodhej në makinën e saj. Në atë kohë, ndërhyri edhe shoku i Luanës që ndodhej pranë saj, në makinën e tij, të cilin përndjekësi e goditi me grusht dhe të dy u konfliktuan fizikisht. Pas ngjarjes, Luana ka treguar para oficerit të Policisë Gjyqësore, gjithë ngjarjen dhe historinë e përndjekjes. Panorama ka zbardhur dëshminë e saj për herë të parë.

Sipas Luanës, Besmiri i ishte afruar për herë të parë gjatë koncertit të Vitit të Ri në Tiranë. Ai mbante një tufë me lule dhe i kërkoi ta takonte ose ta puthte dhe Luana e shmangu. Më pas, ai komentonte dhe dërgonte çdo ditë mesazhe në Instagram me përmbajtje ngacmuese dhe fjalë fyese. Këto mesazhe tregonin që ai dinte çdo gjë për Luanën, ku banonte, kur dilte nga shtëpia, çdo lëvizje të saj. Kjo e kishte trembur Luanën, ajo ia kishte shprehur frikën familjes, por nuk e kishte denoncuar përndjekësin sepse e dinte që ngjarja do të bëhej publike. Ajo ka treguar që ai i dërgonte foto perverese.

Ditën kur e ndaloi, sipas Luanës, ai po e ndiqte me makinë. Kur ajo u bllokua në trafik, qytetari iu afrua dhe i kërkoi të ulte xhamin. Ai kishte një çantë të varur që e prekte vazhdimisht. Në atë kohë afrohet edhe shoku i Luanës, Krenar Çoçaj që po udhëtonte pranë saj me makinën e tij dhe nisi t'i mbante duart Besmirit. Në një çast, ai e goditi me grusht në fytyrë Krenarin. Me ndërhyrjen e policisë konflikti ndaloi. Në çantën e përndjekësit u gjend një pistoletë.