Që nga koha kur është bërë nënë, gazetarja e njohur e sportit Enkeleida Zeko, ka një jetë krejt tjetër. Nuk është e para që thotë se jeta të ndryshon katërcipërisht kur bëhesh nënë, por si çdokush, ajo ka përjetuar emocione të sajat, ndjesi të cilat çdo ditë e më shumë i përjeton ndryshe.

Ester, vajza e Enkeledës, pas pak ditësh feston 3-vjetorin e lindjes, por, edhe pse akoma e vogël, ka nisur të kuptojë se ç’punë bën e ëma, madje ka nisur të kuptojë edhe të dielat, ditët kur gazetarja sportive është në televizor: “Sot është e diel dhe është emisioni i mamit Pei – Pei” – thotë vogëlushja që akoma nuk arrin ta thotë dot “Fair Play”.

E ftuar sot në “Pasdite në Top Channel”, Enkeleida, veç eksperiencave gjatë këtyre viteve në televizion dhe në gazetarinë sportive, rrëfeu edhe detaje nga jeta private e tre vitet e para me të voglën e saj, Ester.

Veç punës, vëmendja kryesore dhe më e madhe është ndaj saj, kështu që edhe për Enkeleidën, pas lindjes së vajzës, objektivat ndryshuan, prioritetet gjithashtu. Tani që Ester ka filluar të kuptojë më shumë, ka nisur edhe të shprehë dëshirat e para. Siç rrëfen gazetarja, ajo akoma nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë i pëlqen për të bërë në të ardhmen, por meqë e shikon mamin në televizor, këtë ka më shumë dëshirë: “Tani ajo thotë ‘dua të bëhem gazetare si mami’, edhe pse akoma është e vogël dhe nuk e kupton”, – thotë Enkeleda për të bijën.

Një vajzë e kishte ëndërruar gjithmonë, sepse kishte ëndërruar që do ta kishte shoqe, do të ndante me të gjithçka, do të kishte një marrëdhënie të veçantë. Zoti kështu deshi. Edhe pse Ester i ngjan Florit, bashkëshortit të Enkeledës, ndryshe nga të gjitha vajzat, është shumë e lidhur me të ëmën.

… Derisa, ndoshta, së shpejti t’i vijë një motër apo një vëlla. Për këtë, rrëfen Enkeleda, nuk kanë akoma asnjë plan, por, natyrisht, të dy duan që t’i dhurojnë Esterit një vëlla apo një motër. Tani është koha e duhur, shton ajo, por ndoshta është më mirë që dhurata të vijë pa plan.