Mirë, qetësohuni! Nuk është fjala për asnjë mëri për pikët, as për ndonjë “sherr” me ndonjë koleg. Anxhela Peristeri ka në plane gjëra të bukura.

Një prej artisteve më të kërkuara të muzikës live në kryeqytet dhe një prej zërave më të fuqishëm shqiptarë, pas fitores së Këngës Magjike, tha se kishte dëshirë që këngës së saj t’i bashkëngjiste edhe një klip për ta plotësuar si një paketë njërën prej këngëve më të dashura dhe më të ndjera. Pas disa muajve punë, më në fund, Anxhela ka arritur që këngën “E çmendur” ta sjellë në një version të ri, në anglisht, "Insanely in love", por jo vetëm.

Së bashku me tenorin Kastriot Tusha, Anxhela ishte sot e ftuar në “Rudina” për të promovuar këngën dhe klipin, si edhe për të rrëfyer më shumë detaje nga realizimi dhe prapaskenat e kësaj kënge. Siç kishte thënë edhe më herët, që nga fillimi, “E çmendur” ishte një këngë shpirti për të, ndaj edhe realizimi i klipit është bërë me të njëjtin pasion. Prania e Kastriot Tushës ishte gjithashtu një gjetje e artistes për t’i dhënë këngës të tjera ngjyrime.

Pasi rrëfyen për skenat dhe xhirimet e klipit, gjatë të cilave nuk kishin kaluar pak peripeci, Anxhela tha se gjatë kësaj vere ka vendosur të vazhdojë të punojë, pa ndonjë plan konkret për pushimet.

Gjatë kësaj periudhe (që pas Këngës Magjike) ajo ka vendosur të mos publikojë më asnjë klip dhe këngë të re. Arsyen e rrëfeu sot në studion e “Rudina”. “Në fakt, kam në plan të realizoj një koncert recital. Kam kohë që e kam menduar, prandaj edhe kam heshtur pas Këngës Magjike. Kam disa prodhime të reja, të cilat dua t’i përmbledh” – tha Anxhela në “Rudina”.

Ende nuk ka diçka konkrete për ta rrëfyer në publik, por po mendon që publikun e saj ta kënaqë në një formë të re. Një koncert recital me këngët më të mira të repertorit të saj, me siguri do të jetë një dhuratë e çmuar për të gjithë fansat e saj.