Triumfi i Ermal Metës në Sanremo ka bërë krenar çdo shqiptar, të madh e të vogël. Dueti me Fabrizio Moro-n, me gjithë kritikat për një plagjiaturë të mundshme, mori votat maksimale të publikut duke siguruar bindshëm vendin e parë në festivalin e këngës italiane. Edhe pse rrezikoi eliminimin, kënga e Ermal Metës jo vetëm që nuk u eliminua, por theu edhe rekorde shikueshmërie.

Sot, përmes emisionit “Rudina”, në Tv Klan, gjyshja e këngëtarit, Hyrije Borova, dhe mësuesja e tij e parë, Margarita, thanë nëpërmjet një videomesazhi fjalë të ndjera për këngëtarin. “Jam gjyshe shumë e lumtur që pas shumë peripecish, Ermali arriti në pikën më kulminante, fitoi Sanremon. I uroj suksese pa fund, kështu ta ketë gjithë jetën”,- tha gjyshja e këngëtarit.

Ndërkohë, mësuesja e tij tha se ka ndjekur me vëmendje festivalin dhe se ka ndjerë gëzim të madh kur mori lajmin se ish-nxënësi i saj fitoi çmimin e parë. “Gjithë këto net kam ndjekur festivalin. Kam ndenjur deri orët e vona vetëm e vetëm që të dëgjoja Ermalin dhe kur mora vesh se zuri vend të parë, ndjeva një gëzim të paparë në jetën time. M’u duk sikur fitoi jo nxënësi im, por djali im. Ai ishte fëmijë i shkathët, shumë i rregullt dhe vinte gjithnjë i përgatitur. I uroj që siç fitoi Sanremon, të fitojë edhe çmimin e parë në Eurovision”,- tha mësuesja e këngëtarit.