Ermal Meta, shqiptari i tretë i sapokonfirmuar si pjesëmarrës në Eurovision 2018, ndoshta do të pasohet edhe nga një i katërt. Eugent Bushpepa nga Shqipëria, Eleni Foureira, përfaqësuese e Qipros, dhe Ermal Meta i Italisë mund të kenë në Eurosong edhe një bashkatdhetar tjetër.

Shpat Kasapi, nëse do të ketë fat, mund të zgjidhet përfaqësues i Maqedonisë në Eurosong. Këngëtari shqiptar, i ftuar sot në Pop Culture, ka thënë se, ndryshe nga përzgjedhja e përfaqësueses shqiptare në Eurosong në Shqipëri, në Maqedoni selektimi i këngëve ndodh ndryshe. Këngëtarët i dërgojnë produktet e tyre muzikore pranë një jurie, e cila i përzgjedh dhe vendos këngën fituese që do të përfaqësojë Maqedoninë në festivalin europian të këngës. Siç deklaroi, Shpati tashmë e ka dërguar këngën e tij dhe pret që juria të vendosë.

Shpati tha se kënga e tij është shumë e bukur dhe beson se do të pëlqehet, një ndërthurje mes Justin Timberlake dhe reggaeton, tek e cila ai ka dhënë maksimumin e vet. Dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen e tij që kënga të kualikohet. “Unë jam me këtë, edhe nëse fut mik, nëse kënga nuk vlen, do turpërohesh atje.”