Lajmi i bukur i ditëve të fundit, ardhja e Rita Orës për pavarësinë e Kosovës në Prishtinë, për fat të keq, nuk ishte jetëgjatë. Ardhja e këngëtares së njohur me origjinë shqiptare në Prishtinë për koncertin e madh të 10-vjetorit të pavarësisë është anuluar.

Në media, gjatë ditës së sotme ka qarkulluar lajmi se arsyeja e këtij anulimi janë shpenzimet e mëdha. Siç raporton gazeta ‘Blic’, koncerti është anuluar pasi ka shumë shpenzime për pajisje teknike dhe koordinim që Rita Ora të mbajë një koncert të standardeve të saj. Sipas qeverisë kosovare, shifra për përgatitjet e koncertit shkon rreth 300 mijë euro, të cilat nuk janë të mundura për buxhetin që është menduar për këtë festë.

Edhe pse vetë këngëtarja nuk kishte kërkuar asnjë pagesë për koncertin që do të mbante në Prishtinë, me sa duket, standardet e performancave të saj nuk mund të arrihen lehtësisht.