“Jetoj në Ponte Verdda Beach, Fl dhe shkoj në klasë të parë çdo ditë me mamin. Kam edhe vëllain më cool nga të gjithë, që quhet Poppelton. Na ndiqni …” shkruhet në një profil Instagram-i. Dhe plot 284 mijë njerëz e ndjekin. Është  profili i Priscilla-s. Nuk e merrni dot me mend që Prischilla është një derrkuce. Ka rezultuar gjeniale ideja e një amerikani apo amerikaneje që të hapë një profil në instagram Prissy_pig e të postojë çdo ditë foto nga dy derrkucët e tij apo të saj.

Derrkucat nuk janë nga ata miq me katër këmbë që i mbajmë brenda në shtëpi, që luajmë, i përqafojmë dhe që industria e kujdesit për kafshët i llaston me produkte pa fund nga më të paimagjinueshmet, nga këpucët te kapelet konike për ditëlindje, por i zoti apo e zonja e Priscilla-s dhe Poppelton-it ka vendosur t’i trajtojë si të tillë dhe ka tërhequr vëmendjen e gjithë njerëzve me foto e tyre të cilat i stampon edhe në bluza dhe veshje të tjera. Pas “Babe”, Priscilla dhe vëllai i saj i kthejnë derrkucat në kafshë të dashura, aq më tepër që kjo histori nuk të trishton asnjëherë. Është si një përrallë e bukur ku derrkucat janë të vërtetë!