Kush nuk është ndier krenar në fillim të viteve 2000 me Ilirjan Sulin? Sa herë ai ka ngritur shtangën në kompeticionet ndërkombëtare, aq herë ne të gjithëve na është drithëruar zemra. Në vitin 2002, Iliri u shpall nënkampion bote në sportin e peshëngritjes. Shkëlqimi i tij në sport nuk mori vëmendjen maksimale vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare. Shumë arritje dhe shumë medalje që çdo sportist tjetër në botë do t’i kishte ëndërruar, por që sot nuk mjaftojnë për t’ia bërë jetën Ilirit më të thjeshtë.

Sot, i ftuar në “Rudina” në Tv Klan, Iliri rrëfeu jetën e vështirë që ka kaluar në gjithë këto vite pas titullit të madh. I lënë mënjanë nga federata, i lënë mënjanë edhe nga instancat shtetërore, duket sikur pengu mbetet tek oferta që iu bë nga Turqia shumë vite më parë: “Mua më ofruan të ikja në Turqi në atë kohë, por nuk pranova”, – thotë ai i dyzuar duke kujtuar ftesën e shumë viteve më parë dhe këmbënguljen e Federatës Turke për ta bërë pjesë të saj. Ishte koha kur, më shumë se kurrë, Iliri ndihej krenar për vendin e tij, por zhgënjimin e provoi vite më vonë, kur askush nuk iu gjend për ta mbështetur që të mos shkëputej nga sporti.

Shumë gjëra kanë ndodhur edhe për fajin tim”, – thotë ai pa e fshehur përgjegjësinë, por i sinqertë që e gjithë kjo koha që ka kaluar nuk ka qenë më e mira për të. Medaljet, që ta ruajnë shkëlqimin, duan kujdesin që nga Iliri, por ndoshta edhe nga rrethanat, nuk mundën ta kenë.

Në vitet kur Bujar Leskaj ishte ministër në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Iliri pati fatin të punonte pranë tij si këshilltar për disa kohë, por posti ra shpejt meqenëse ai nuk ishte pajisur me një diplomë universitare. Duke kujtuar atë kohë, Iliri mendon se Leskaj i dha një mundësi shumë të mirë, por ajo kohë kaloi shpejt.

Por çfarë bën sot Iliri? Vështirë ta besosh, por është i papunë. Megjithatë, nuk e lë sportin, vazhdon të ndjekë palestrën si dhe të bëjë “trajnerin” për dy djemtë e rinj të peshëngritjes shqiptare, Daniel Godellin dhe Kristi Ramadani, të cilët e kanë frymëzim kohën e artë të Sulit. Edhe ata pohojnë se rezultatet e Ilirit, ata i kanë frymëzim për hapat e tyre, por konfirmojnë se sot, është fatkeqësi lënia mënjanë e një sportisti si ai.

Medaljet dhe titujt e panumërt janë paradoks me atë që Iliri është sot, por shpresa nuk shuhet asnjëherë. Ai është diplomuar në Institutin e Fizkulturës në Tiranë, për pak mbaron edhe Masterin dhe ëndërron që shumë shpejt të fillojë punë si mësues fizkulture në një fshat. Ironike, por kjo është vërtet ajo që Iliri kërkon sot: “Ëndrra ime është të hyj në punë. Besoj do hyj si mësues fizkulture në ndonjë fshat këtu afër, sapo të mbaroj Masterin” – thotë Iliri, megjithëse nuk është kjo ajo që ai do të bëjë me zemër.

Ëndrra e tij e madhe është të jetë trajner, por edhe për këtë është shumë i sinqertë: “Trajner është fjalë e madhe. Nuk po e them këtë, sepse dua të flas bukur dhe të bëj hipokritin. Trajner është përgjegjësi e madhe…” – këmbëngul ai.

Nuk e mohon, por as e pohon. Por ata po. Prindërit e tij. Sepse e njohin mirë Ilirin, e dinë cila është në të vërtetë dëshira e tij më e madhe që nga mosha 7-vjeçare. Ai, sot duhet të ishte duke trajnuar Danielin dhe Kristin dhe jo duke i ndjekur ata si dashamirës apo si mik. I ati dhe e ëma, në një videomesazh për të birin, urojnë dhe shpresojnë shumë nga Iliri dhe nga ajo që ai di të bëjë më mirë.

Edhe Iliri e di që sporti, në çdo kohë dhe në çdo moshë, të bën njeri më të mirë, nuk të lë të humbasësh veten, të mbush me pozitivitet dhe të bën njeri të gëzuar. Ndaj zgjodhi sportin, për vete dhe për vendin e tij. Sepse beson se edhe me të Shqipëria mund të bëhet vend më i mirë.