Klan ka me të vërtetë shumë surpriza për sezonin e ri. Publiku do të ketë mundësinë të shohë në shqip, me protagonistë shqiptarë, disa nga patentat më të suksesshme ndërkombëtare që vijnë për herë të parë në Shqipëri.

Sërish, pas dy prej tyre, qëndrojnë emrat e njohur të televizionit, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu.

Ato do të sjellin "Në kurthin e Piter Pan" dhe "Celebrity Farm".

Ndërsa për spektaklin me fëmijë që do të nisë në shkurt, audicionet kanë nisur që vjet, për "Celebrity Farm" të dhënat e para po i zbulojmë sot, ekskluzivisht, edhe pse fillimin e këtij programi në Klan, Aleksandër Frangaj na i zbuloi që vitin e kaluar.

Nga produksioni, kemi mësuar që reality show, ku protagonistët, 15 personazhe të njohur, provojnë veten duke jetuar si në një fermë dhe duke luftuar per nje çmim te majmë, do të nisë në prill dhe do të shfaqet të dielave në mbrëmje.

Edhe ai, si "Në kurthin e Piter Pan", që do të transmetohet të hënën, do të prezantohet nga Alketa Vejsiu, e cila për disa javë do të drejtojë njëkohësisht të dy spektaklet, duke qenë në ekran dy mbrëmje rresht.

Një sezon vërtet i mbushur me surpriza!