“Natën vonë”, një projekt që Jonida Shehu e ka prezantuar në ekranin e Ora News pak vite më parë, do të rithehet së shpejti në ekranin e Klan Plus. Lajmi se Shehu do të rikthehet pak kohë pas largimit nga Top Channel u mësua shpejt gjatë ditës së sotme dhe menjëherë pas tij edhe për formatin e ri që moderatorja do të drejtojë.

Më shumë se dy vjet më parë, moderatorja vendosi  të ndahet nga Ora News dhe nga emisioni i saj “Natën vonë” për t’iu përkushtuar një pune në administratë, larg gazetarisë, por shumë pak kohë pas saj, do të gjendej në Top Channel me programin e pasdites.

Ndërsa tani, pak kohë pas shkëputjes së heshtur, “Natën vonë” do të rikthehet në Klan Plus. Burime pranë revistawho.com kanë mësuar se formati “Natën vonë”, programi i mbrëmjes të cilin Jonida e ka drejtuar në Ora News, do të rishfaqet në Klan Plus.

“Natën vonë” është projektuar enkas për të mbledhur pranë ekranit protagonistët më të rëndësishëm të ditës, për të biseduar me publikun dhe njëri-tjetrin, për çështje me interes të gjerë, por edhe për të fshehtat apo të rejat e tyre personale. Intervista të hapura, biseda të lira e pa komplekse, por edhe përballje argumentesh – gjithmonë me një atmosferë të ngrohtë, sepse natën vonë inatet e ditës duhen lënë pas që ëndrrat të jenë më të qeta e më të bukura.

Kjo ka qenë motoja e programit që Shehu ka prezantuar kohë më parë e që, me siguri, do të vijojë të ketë edhe këtë herë në rikthim.