Pas një mungese të gjatë në skenën e Këngës Magjike, Rovena Stefa është rikthyer në edicionin e 19-të të këtij festivali me një baladë të ndjerë. “Veç një jetë”, kënga që Rovena ka prezantuar para disa javësh në ‘E diela shqiptare’, është duartrokitur nga fansat e saj dhe adhuruesit e baladave. Fabula e këngës, e shkruar nga Taulant Skënderaj, është ngjitur si me magji në notat e vetë Rovenës dhe përcjellë me ndjenjë nga zëri i artistes që për shumë vite u kishte munguar garave muzikore.

Edhe pas prezantimit të këngës në natën e parë gjysmëfinale, në Pallatin e Kongreseve, Rovena vjen e sigurt. Të kënduarit live është tashmë pikë e fortë për të. Prej vitesh, ajo është aktive në koncertet për bashkatdhetarët tanë kudo në botë.

Edhe kjo mbrëmje ishte si një magji e bardhë në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Por aspak problem për Rovenën, e cila, me gjithë emocionin e mungesës së gjatë, ia doli me sukses të prezantojë më të mirën e vetes.

Performanca magjike, e shoqëruar nga balerinët, i dhanë këngës së Rovenës një dimension të ri dhe mesazh unik.