Nga E Diela Shqiptare në skenën e Pallatit të Koncerteve, Kënga Magjike mbërrin në mbrëmjet gjysmëfinale dhe finale të saj. Nga mëngjesi në mbrëmje, 50 këngëtarë, nën emocionet e konkurrimit, po bëjnë provat me zërin dhe lëvizjet skenike nën këshillimin e Ardit Gjebreas dhe gjithë ekipit realizues të festivalit, që tashmë e ka konfirmuar suksesin e tij në muzikën e lehtë prej 19 edicionesh, shkruan Tv Klan.

Ky vit vë në konkurrim 50 këngëtarë, shumë prej të cilëve janë pjesë e historisë së Këngës Magjike. Të rinjtë, ata që këtë skenë e kanë emocion të parë janë 17. Për ta, Ardit Gjebrea thotë se janë zëra sfidues: “Unë di të them vetëm një gjë, që jo vetëm juria e new artists (artistët e rinj), por dhe vetë këngëtarët do ta kenë shumë të vështirë këtë vit për votimin” – tha Gjebrea për Tv Klan. Surpriza e parë e skaletës së tre mbrëmjeve është zbuluar. Bashkëprezantues janë Arjola Shehu e Nevina Shtylla, dhe aktorët e humorit Besart Kallaku dhe Erion Isai.

Nëse vajzat i janë dedikuar skenarit, Besi dhe Erioni kanë një detyrë tjetër – të improvizojmë. “Ky edicion vjen ndryshe për faktin se jam unë dhe Erioni”,- thotë Kallaku, ndërsa Isai shton: “Shiko, ne do ta qajmë punën e prezantuesve… do ta qajmë”.

Të ftuarit apo elementë të tjerë specialë do të zbulohen të mërkurën dhe të enjten në dy netët gjysmëfinale, dhe të shtunën, në mbrëmjen finale, të shpalljes së fituesve, në një transmetim të drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Klan.