Ndarja e papritur nga jeta në moshën 68 vjeç e kompozitorit Aleksandër Lalo ishte tronditëse edhe për publikun që ka vlerësuar muzikën e tij dhe për ata që po e ndiqnin në programin C'est la vie.

Në lajmërimin e dhimbshëm të dhënë mbrëmjen e së dielës, Reis Çiço tha që C'est la vie do të vazhdonte të transmetonte edhe një pjesë të regjistruar ku kishte marrë pjesë kompozitori.

Me kalimin e ditëve, ndërsa i është dashur të përballojë dhimbjen e humbjes së një miku të rrallë, produksioni ka pasur detyrën për të vendosur dhe për përbërjen e jurisë në vazhdim të spektaklit.

Edhe pse spektakli i kësaj jave është regjistruar, vendimi duhej marrë.

Nuk munguan emrat që mund ta zëvendësonin, por asnjë nuk u konfirmua. Përfundimisht, sot, burime nga televizioni, konfirmojnë që Aleksandër Lalo nuk do të zëvendësohet në jurinë e C'est la vie. Duket si zgjedhja më e mirë.

Ai është një kompozitor dhe personalitet i pazëvendësueshëm në artin shqiptar dhe kështu do të jetë, edhe në C'est la vie. Vendi i Aleksandër Lalos do të mbetet bosh, si një kuadër që pasqyron largimin e tij.