Kur duket sikur lëvizja e prezantuesëve ka përfunduar për këtë sezon dhe të gjithë janë në vendin e tyre ka ende shumë paqartësi për programet që ata do të prezantojnë. Megjithatë duket se edhe në këtë fushë, po hidhen hapa përpara në zbulim të territorit.

Monitor.al ka zbuluar përmes drejtuesëve të programacionit në Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus programet e reja, duke zbardhur dhe një nga misteret më të mëdha, programin që do të drejtojë Luana Vjollca. “Shiko kush luan në Top Channel” dhe “VIP në shtëpi” janë dy programe të reja që do të nisin në Top Channel dhe sipas Monitor, një prej tyre do të prezantohet nga Luana.

Në Top Channel, sipas Monitor, do të nisë edhe Big Brother Vip dhe do të rifillojë “100 milionë”, veç "Dua të bëj të lumtur" dhe "The Voice Kids" që tashmë kanë nisur përgatitjet.

Në Tv Klan pritet që Marina Vjollca të nisë spektaklin "C'est la vie". Aty, 8 këngëtarë të rinj do të konkurrojnë me 8 personazhe të njohur, ndërsa pas këtij spektakli, sezonin e ardhshëm do të fillojë një tjetër program ku fëmijët do të konkurrojnë në muzikë, balet dhe instrumente, si dhe një program ku do të flitet për operacionet plastike dhe një për udhëtimet "Travelling", që do transmetohet në fundjavë.