Thashethemeve u erdhi fundi dhe nuk ka më dyshime, është përzgjedhur prezantuesja e edicionit të këtij viti të festivalit të famshëm “Sanremo”. Pas shumë aludimesh dhe emrave të përfolur, përkrah Carlo Contit do të jetë Maria De Filippi.

Moderatorja e njohur italiane ka nënshkruar kontratën me organizatorët e festivalit prestigjioz, ndërsa në konferencën për shtyp ku u prezantua  Maria De Filippi ka falenderuar drejtuesit e Rai-t për ftesen pa harruar edhe ata të Mediaset, që sipas saj i dhanë mundësinë të jëte në eventin më të rëndësishëm të muzikës italiane.

Por, ndonëse tashmë u konfirmua edhe zyrtarisht, ajo që ka tërhequr vëmendjen e fansave gjatë dy ditëve të fundit ishte konflikti i prezantueses De Filippi me gazetarin Alfonso Signorini. E përjavshmja e suksesshme “Chi”, që drejtohet nga Signorini, ka publikuar lajmin se Maria do të prezantojë Sanremon një ditë përpara konferencës.

Ndonëse ishte e papritur për adhuruesit e eventit aq shumë të rëndësishëm në Itali, meqë Maria De Filippi ishte imazh ekskluziv i “Mediaset”, sipas revistës, ajo i kërkoi leje pronarit Pier Silvio Berlusconi. Më pas Maria i tha “Po” Carlo Contit për të prezantuar bashkë eventin muzikor.

Ende nuk është e qartë pse, por moderatorja e përgënjeshtroi lajmin me një status plot akuza për Alfonso Signorinin, për të cilin tha se kishte imagjinatë të ekzagjeruar. “Alfonso është sigurisht një gazetar i madh, sepse arrin të më atribuojë një bisedë imagjinare midis meje dhe Carlo Contit që nuk ka ndodhur kurrë, e aq më pak t’ia kemi thënë gazetarit të “Chi”. Nesër do të jetë konferenca për shtyp e Sanremos e nëse do të jem apo në Festival do ta flasim aty në biseda reale dhe jo imagjinare”, tha De Filippi.

Gazetari iu përgjigj moderatores duke u shprehur se, “Bëra punën time. Teksa ne kemi botuar lajmin, Maria është rrugës për tek konferenca ku do të bëjë njoftimin se do të prezantojë Sanremon. Nëse u bë skandal, jam shumë i lumtur që e shkaktova”. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Pak orë më vonë Maria De Filippi pranoi zyrtarisht se do të prezantonte festivalin “Sanremo”.  

Festivali i 67 i këngës italiane do të mbahet nga data 7 deri në datën 11 në teatrin “Ariston” të Sanremos. Deri tani janë konfirmuar disa nga të ftuarit specialë të këtij eventi, si Tiziano Ferro, Giorgia, Mika, Ricky Martin e Rag'n'Bone Man.