Sot, ndodh që prekjen ta përdorim më shumë si fjalë sesa si shqisë. Por ka një mundësi që prekja të mos ngelet fjalë. Dhe një mundësi që, nëse do t’i japësh ditës tënde një prekje orientale, të kesh një copë të vërtetë Orienti në dorë.  Një copë që mbart gjithë traditën shekullore. Harrojini ato kufizimet që asgjë nuk kthehet pas dhe atë rregullin, pa fantazi, që ti nuk mund të jesh dhe këtu dhe atje në të njëjtën kohë.

Në datën 20 nëntor, në Showroom-in e Pierre Cardin Home në Autostradën Tiranë-Durrës, do të nisë Java Orientale. Një festival ngjyrash dhe materialesh natyrale, me dizenjot dhe teknikat autentike të Lindjes së Mesme dhe të Largët të shprehura në sixhadet e punuara me dorë. Aty ku thuren fijet e shekujve të së shkuarës dhe siguria për dhjetëvjeçarët e së ardhmes. Dhe të gjitha, do jenë me ulje çmimi 20%+50%.

Eventi do të nisë në orën 18.00 në Pierre Cardin Home, me shumë të ftuar nga bota e artit, klientë të Pierre Cardin dhe shumë personazhe të njohur. Vizitorët do të dëgjojnë diçka më shumë nga kultura e Lindjes së Mesme dhe të Largët dhe mbi të gjitha, do mund të përfitojnë nga promocioni i uljeve të këtyre sixhadeve që do të vazhdojë gjatë gjithë Javës Orientale. Për blerjen e parë, përfitoni 20 për qind ulje dhe për blerjen e dytë 50 % (50 % për blerjen me çmim më të ulët).

Një mundësi e shkëlqyer për të pasur në shtëpi një vepër të vërtetë arti nga Orienti, por edhe për t’u njohur nga afër me punimet e rralla me materiale natyrale. Një sixhade, në shumicën e rasteve, merr emrin e vendit ku punohet, p.sh. Afgan, Iran Seraf, Hereke, Isfahan etj. Duhen 2 deri në 8 vjet që të përfundojë një prej tyre dhe më e veçanta është që duhet të punohen nga vajza të moshës 14 deri në 20 vjeçe, pasi duhet një shikim tepër i mprehtë si dhe gishta shumë të hollë për të punuar në fije aq të holla. Materialet janë prej materialesh 100 për qind natyrale si leshi dhe mëndafshi, ndërsa ngjyrat e alternuara në perfeksion, realizohen nga boja e bimëve, e cila nuk hiqet asnjëherë. Një sixhade e punuar me dorë ka një jetëgjatësi mbi 100-vjeçare.

Gjatë kësaj jave, vizitorëve në showroom do u jepet mundësia t’i prekin sixhadet unike. Jo siç prekim, pa i parë mirë, qytetet ku kalojmë nxitimthi. Mund të ndiejmë në mollëza materialet natyrale, lulet e Orientit, punimin delikat të duarve të vajzave të reja, vulën e traditës mbi dizajne autentike, por do të ketë edhe dizajne të reja, ngjyra dhe gjallëri që i përshtaten tendencave të fundit të modës, për të qenë këtu dhe atje në të njëjtën kohë, në të tashmen dhe të shkuarën njëkohësisht, me një copë të vërtetë orientale në dorë.

Ka dhe nga ato që mund të shihen si një pikturë e vërtetë, e endur mbi mëndafsh, 100 për qind prej këtij materiali të vyer, me një kornizë me lule pak mbi thekë dhe madje edhe me firmën e endësit, që, ashtu si piktori, e shenjon këtë vepër të tij, që të emocionon.

Ja disa nga sixhadet që do keni mundësi të prekni gjatë Javës Orientale:

AFGAN-Qilimat Afgan janë një traditë mijëravjeçare e këtij populli, këta qilima janë të përbërë kryesisht nga leshi dhe kanë një dendësi e cila nuk ndodhet në asnjë lloj tjetër qilimi prej leshi, ato kanë mbi 1 milion nyje për m2. Dizajni tradicional më i përdorur në këto qilima është ai i këmbës së Elefantit, një tetëkëndësh i shtypur shpesh në një sfond të kuq.

ZIGLER-Sixhade pakistaneze, me bojërat më cilësore nga të gjitha sixhadet. Ky qilim është krijuar për të qenë i aftë të përshtatet pothuajse në çdo lloj ambienti, me mobilje bashkëkohore dhe tradicionale. Shumica e dizajneve të reja Zigler janë krijuar në Afganistan dhe etiketohen Cobi që nga persishtja përkthehet Dru, një referencë për ngjyrën e tyre natyrale.

HEREKE-Qilimat Hereke janë prodhuar vetëm në Hereke, një provincë e Turqisë. Këto qilima janë bërë me lesh në pambuk, lesh deveje në pambuk, mëndafsh në pambuk dhe mëndafsh në mëndafsh me mbi 2 milionë nyje për m2. Kombinimet në ngjyra dhe modele harmonike i bëjnë këto qilima unikë (Collectible).

SHIRVAN-Këta qilima janë traditë e endësve nga Kaukazet, që do të thotë lesh i një cilësie maksimale. Specifike e këtyre qilimave janë figurat gjeometrike dhe ato nomade, një tjetër veçori është edhe relievi anash, që e kornizon në një mënyrë mbresëlënëse.

AREX ROYAL-Këto nuk janë qilima, janë piktura të endura në mëndafsh, janë maja e sixhadeve të punuara me dorë, 100% mëndafsh mbi mëndafsh, e cila nënkupton jetëgjatësi të pafund. Sixhadet Arex kanë një dendësi mbi 2 milionë nyje për m2. Specifike e këtyre sixhadeve është edhe firma e endësit e hedhur në fund të tij si dhe korniza me lule e cila ndodhet pak mbi thekë.Të tilla sixhade janë krijuar në fillimet e tyre vetëm për familjet perandorake.