Nuk mjafton ndoshta një aktivitet i vetëm për të përforcuar vlerësimin ndaj figurës femërore, ndaj atyre mamave që lindin jetë, ndaj gjysheve të përkushtuara, ndaj vajzave në karrierë, ndaj zonjave të dedikuara për fëmijët dhe bashkëshortin, ndaj bebeve, fëmijëve dhe gjithë atyre grave dhe vajzave që frymëzojnë pa kushte në gjithçka bëjnë në jetë.

Përcaktimet mund të jenë gjithfarësoj, me ngjyrime nga më të larmishmet, që përcaktojnë profilin e secilit syresh prej tyre, pse jo edhe individualitetin bashkë me tiparet dalluese ndër pak të tjera. Ky është edhe qëllimi i eventit më të madh të modës që do të organizohet së shpejti në kryeqytet.

Class Fashion Show 2018 do të përcjell një kauzë kuptimplotë, të cilën e kanë "përqafuar" tashmë shumë vajza të interesuara dhe që ndihen IN me frymën që përcjell ky bosht që do të ndërtojë të gjithë stilin dhe organizimin e këtij show gjigant të modës.

Të veshura me fustane nusërie, me ato elegante të mbrëmjeve, fustane për më të voglat e familjes që falin përkëdheljet më të ëmbla të botës, gjithçka që i rri mirë siluetës së një femre plot sharm dhe elegancë do të përcillet në pasarelë si një linjë tipike mes fantazisë dhe realitetit për të theksuar figurën femërore me gjithë shkëlqimin e saj.

Dhe kur themi femër, kemi përfshirë të gjithë tipologjitë e saj, nga gruaja e fortë, tek ajo me superfuqi, tek të lumturat, interesantet, idealistet, delikatet, të gjitha do të parakalojnë në sfilatë për të përcjellë bashkë me tendencat e fundit të modës, edhe copëza të mirfillta të karakterit që përshfaqin në koleksionin e ri gjithë bukurinë dhe personalitetin e çdo nuseje, çdo vajze,  çdo zonje, çdo fëmije, bebeje, etj.

Bashkohu edhe ti në këtë nismë për të qenë protagoniste e Class Fashion Show Big Event i vitit 2018-të! Çfarë po pret?