Kanë përfunduar 70% e punimeve për rikonstruksionin e Sheshit Skëndërbej në qendër të Tiranës.

Erion Veliaj ka sqaruar që nuk do të ketë vetëm sipërfaqe të gurta, por edhe zona me lule dhe pemë, të varieteteve të ardhura nga zona të ndryshme të Shqipërisë, ashtu siç është bërë me gurët.

Sipas koordinatorit të projektit Gentian Agolli, tani do të nisë instalimi i pompave për 140 shatërvanët që do të jenë në shesh, ndërsa ka nisur edhe mbjellja e pemëve dhe lulëve.

Pjesa e gurtë dhe e gjelbër do të jetë 50 % me 50 %.

Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama në një postim ku tregon sheshin Skëndërbej para disa vitesh dhe pamjen që po merr ai tani, ka shuar një kuriozitet të madh duke deklaruar që sheshi do të jetë në dispozicion të qytetarëve brenda “pak javësh”.

Sipas Gentian Agollit, me këtë ritëm që po punohet, parashikohet që sheshi të përfundohet në qershor.