Siҫ kishte lajmëruar, mbrëmja e kësaj të shtune ka qenë një datë e shumëpritur për shef Renato Mekollin. Pas një pune të gjatë, restoranti i tij “Umami” ka hapur zyrtarisht dyert për të zbuluar një shije të re në kryeqytet.

Me një dekor të kuruar deri në detaje nga Class Events, i gjithë ambienti ka mirëpritur personazhe të njohur nga fusha të ndryshme të artit, biznesit, medias etj.  

Prezantimin e parë për të gjithë të ftuarit e bëri bashkëpunëtorja e ngushtë e Reanatos, Oriela Nebiaj, e cila e ka shoqëruar shefin e kuzhinës në dy projektet e tij të mëdha, librin “Sekretet e shijes”, të cilin ai e nxori në treg pak muaj më parë, dhe tani edhe me restorantin e ri.

Vëmendja kryesore e darkës ishte, natyrisht, kuzhina e Renatos, e vendosur në qendër të ambientit të ri. Bashkë me skuadrën e tij të re, Renato do të vërë në punë të gjithë fantazinë për të krijuar artin e ri në pjatat e tyre. Dhe, mbi të gjitha, artin e shijes së papërshkrueshme  - risia që do të ketë ndryshe nga të gjitha restorantet me të cilët jemi mësuar deri tani.

Disa nga personazhet e ftuar në përurimin e restorantit ishin jo vetëm miq e bashkëpunëtorë të Renatos, por njëkohësisht edhe të apasionuar të kuzhinës. Duke besuar në shijen e re që do të sjellë për ta shef Renato, të ftuarit e mbrëmjes kanë shijuar pjatat e para, pasi u hap perdja e prej andej u pa shefi i Kapelave të Arta.

Fotot: Bora Dervishi