Fiorentina është një doktorante e veçantë. Ajo ka humbur shikimin që në moshën pesë vjeçe e megjithatë nuk ka hequr dorë nga dëshira e saj për t'u arsimuar. Ka përfunduar dy universitete, tre mastera dhe po doktorohet. Megjithatë për Fiorentinën, siç tregon Channel One, nuk ka vend pune në shtet, edhe pse shteti është i detyruar të krijojë disa hapësira për persona me aftësi të veçanta.

“Studimet e Doktoraturës i kam kryer për nxënësit me dëmtime vizuale në arsimim special në Shqipëri, kurse të gjitha universitetet e tjera dhe masterat i kam mbaruar në Greqi. Kam mbaruar dy fakultete dhe tre mastera. Diplomat i kam me rezultate shumë të mira, 9.21 jashtë shtetit, kurse Doktoraturën e kam mbaruar me 94% , që është një arritje shumë e madhe, një rezultat shumë i mirë. Kam punuar 9 vjet si mësuese në Greqi në arsimin gjithëpërfshirës dhe në arsimin special. Gjithashtu dhe në Shqipëri, sot punoj si mësuese, kam disa orë në një shkollë private. Në shtet fatkeqësisht jo, nuk më ka dhënë asnjë orë mësimi Ministria e Arsimit. Kam kërkuar shumë, kam kërkuar në maksimum, por fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër”, thotë Fiorentina për Channel One.

Ajo aktualisht jep mësim në një shkollë shqiptaro-amerikane. Është një mundësi punësimi për Fiorentinën, e cila dhe pse ka kërkuar, nuk ka gjetur një vend pune në shtet.

Me natyrën e saj aspak pesimiste, Fiorentina shpreson se pas studimeve të doktoraturës do t’i hapet një portë, ndaj ajo i bën thirrje Kryeministrit Rama, që të ketë vëmendje për personat me aftësi të veçanta.