Sanija dhe familja e saj u tranferuan nga Bajram Curri për Tiranë shumë vite më parë. Si nënë burrneshë, ajo i ka mbrojtur me gjithҫka fëmijët e saj e sidomos të bijën, Elsën, të cilën e ruante si sytë e ballit. Por pika e saj e dobët, një ditë “i doli nga duart”, 6 vjet më parë, kur u dashurua me Miraldin. Që nga ajo kohë, Sanija nuk e ka bërë më gjumin njëlloj, sepse vajza e saj e shtrenjtë ishte rritur.

Enkas për t’i bërë një surprizë së bijës dhe të fejuarit të saj në “Ka një mesazh për ty”, Sanija tregon në studio se në fillim nuk e ka dashur bashkimin e të rinjve, madje e ka refuzuar atë me forcë, ndryshe nga djemtë e saj dhe bashkëshorti. Pasi mësoi që e bija ishte dashuruar me një djalë, gjithҫka për të kishte ndryshuar. Meraku i madh për të bijën e kishte bërë për të mos menduar me kthjelltësi: “Vendosëm ta refuzonim këtë lidhje… Në fillim me Miraldin u takuan dy djemtë. U thashë ‘a të vij edhe unë si burrneshë’, por më thanë jo, se ata tashmë janë të rritur. Kishin shkuar në takim me të dhe kur erdhën, ndryshuan komplet. Më thanë se Miraldi ishte djalë i mrekullueshëm dhe nuk mund ta kthenin pas…”

Më 29 korrik Elsa dhe Miraldi kanë prerë datën e martesës, por për nënë Sanijen, duket se ka mbetur ende një ngërҫ: “Elsa na ka thënë se nuk do të martohet derisa ne të gjithë si familje të jemi gati me zemër që ajo ta hedhë këtë hap… Të gjithë të tjerët kanë qenë dakord që në fillim, por unë nuk doja…” – vazhdon të tregojë nënë Sanija pa e fshehur emocionin për të bijën dhe dashurinë që ka për të.

Megjithatë, erdhi momenti, me gjithë dyshimet që Sanija të jetë plotësisht gati për këtë lidhje dhe t’i japë bekimin ҫiftit: “Elsa vazhdon të mendojë se unë akoma kam diҫka që nuk më bind, ndaj më pyet shpesh “a jam e sigurt dhe me zemër ta pranoj këtë martesë?”

Duke e ftuar ҫiftin në “Ka një mesazh për ty, Sanija do t’u japë bekimin dhe t’ua deklarojë edhe publikisht se është shumë e lumtur për dashurinë që kanë për njëri-tjetrin: “Elsa, ti e di që, qysh kur kemi ndarë datën e martesës, mami ka fjetur shumë pak… por sot kam ardhur t’ju them se jam plotësisht, me zemër dhe me shpirt, e bindur që ju të vazhdoni jetën tuaj, të kaloni jetën e lumtur, t’ju shkojë mbarë. Aldi është një djalë i mrekullueshëm. Këtë e kuptova që ditën e parë që e takova…” – deklaroi publikisht Sanija duke i kërkuar edhe ndjesë së bijës për të gjitha vitet kur është treguar e rreptë me të.

Miraldi dhe Elsa kanë 6 vjet bashkë dhe në korrik kanë vendosur të lidhin kurorë. E gjithë kjo pritje e gjatë ka qenë është për shkak të familjes së Elsës, e cila nuk ka qenë gati për ta “nxjerrë” vajzën nga shtëpia. Edhe pse Sanija e nisi mesazhin e saj me një shaka për ta shtyrë edhe të paktën 1-2 vjet dasmën, dhëndri nuk refuzoi: “Si të jetë më mirë për ju…” – tha ai, edhe pse ka 4 vjet që jeton vetëm në pritje të Elsës.