Fituesit e Lotarisë Amerikane do të shpallen ditën e sotme gjatë pasdites. Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fituesit do të shpallen në orën 18.00, të pasdites së të martës.

“Të martën, duke filluar nga ora 18:00, mos harroni të kontrolloni nëse jeni një nga të përzgjedhurit e Vizës së Lotarisë. Duke filluar nga 15 maji 2018, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2019 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Kontrolli i Statusit të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten dhe anëtarët e tyre të familjes.

Departamenti gjithashtu do t’u konfirmojë të përzgjedhurve datat e tyre të intervistave për vizë nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistruarve.