Është koha e festave… e festave pa kohë… Gjithnjë kam patur ndjesinë se në këtë periudhë të vitit të gjithë jemi më të mirë. Ndjenja e paqes, qetësisë, gëzimit, na pushton kudo ndodhemi dhe neutralizon me frymë pozitive çdo pakënaqësi që na mundon.

Kjo është periudha kur gjithësecili prej nesh bën bilancin e vitit, dhe cilido qoftë rezultati  e vendosim atë në vlerë absolute, për të parë dhe marrë prej tij më të mirën.  Por këtë zgjidhje mund t`i japim kudo dhe kurdo problemeve tona. Duke qënë se të shkuarën nuk e kthejmë dot pas, le të mundohemi për të ardhmen,dhe kjo është koha e duhur për këtë …

Unë e gjeta një mënyrë… mblodha gjithçka kisha ruajtur në kujtesë nga 2014 dhe i kufizova me shkopat magjikë të vlerës absolute. Rezultati? Pa asnjë dyshim shumë optimist. Gati për të marrë gjithçka me vete dhe në udhëtimin drejt të ardhmes.

Ashtu të bukura dhe xixëlluese, ndjesitë dhe kujtimet i përdora për të dekoruar bredhin tim të Krishtlindjeve.  Ndaj ai këtë vit  xixëllon më shumë se kurdo herë.  Zgjodha ta zhvesh nga produktet industriale, për t`i lënë të gjithë hapsirën e mundshme ndjesive të përftuara nga një vit i jetuar. Ato patën forcën ti japin ngjyra vitit tim, ndaj janë aq të fuqishme sa për të zbukuruar dhe festat e mia.

Rreth e përqark degëve të bredhit sillet një varg i gjatë buzëqeshjesh, që xixëllojnë pa patur nevojën e një prize. Energjia e tyre elektrizuese buron prej casteve të mbushura me pozitivitet. Shtriqjet e buzëve vesh më vesh i lidha njëra pas tjetrës me fije të arta, njëlloj të çmuara si ato.

Në thesin e ndjesive gjeta shumë dashuri. Mes tyre zgjodha vetëm disa, të cilat i vara në degët e bredhit. Nuk i nxora të gjitha prej thesit, pasi ato më të mëdhatë  dua t`i ruaj gjatë. Tek lëkunden në fijen e filispanjës, kuptoj se sa shumë i përshtaten bredhit ngjyra dhe forma e tyre. Festat e fundvitit nuk do të kishin këtë vlerë në mungesë të dashurisë.

Nga bilanci i vitit që po përfundon, tërhoqa shumë fije besimi, të cilat rastisën të ishin në materiale dhe forma të ndryshme. Ato më delikatet i gërshetova me ato më të fortat, për t`u dhënë më shumë rezistencë në kohë. Në formën e shiritave të shkëlqyeshëm, vendosja e tyre i dha tjetër pamje bredhit.

 Nga thesi i 2014-ës dolën fluturimthi disa flutura kurioze. Pasi rrahën krahët e tyre në hapsirën rreth bredhit ,ndaluan njëra pas tjetrës në degët e tij. Shpresoj të mos qëndrojnë gjatë pa lëvizur, pasi bredhit dhe festave u nevoitet pak pluhur magjik nga rrahja e krahëve të shkruar.

Pema e gjelbër festive duket e tej mbushur, ashtu si një vit i jetuar mirë. Por në të nuk mund të mos vendosja dhe disa lule shprese. Nga ato që i gjen të mbyllura si gonxhe dhe vetëm koha i çel si trëndafila të shëndetshëm. Sa të tillë lindën dhe lulëzuan gjatë këtij viti…

Për të dekoruar degën më të lartë, atë që i takon yllit më të shndritshëm, zgjodha “Mirënjohjen”. Forma e saj delikate nuk mund të qëndronte e gjitha mbi një degë, ndaj pjesë-pjesë ajo u shpërnda kudo mbi bredh si flokë të butë dëbore që i shtoi bukurinë të gjithë ndjesive dhe kujtimeve.

Gëzuar… Këtë vit merrni me vete më të mirat!!!!

Nga Makiato me qumësht të ftohtë