Nëse në brendësi të shkrimit të solli titulli, mirë se erdhe! Ty po të kërkoja… Eja, rri si në shtëpinë tënde, tonën, tradicionale shqiptare, por si mik të këshilloj të mos bësh shumë pyetje, se përgjigje do të marrësh fare pak. Kot mundohem të të tregoj udhëzimet, një klikues i regjur i medias shqiptare, këto rregulla i di ndoshta më mirë se unë.

Kush e di sa herë gjatë ditës ke menduar se hallet e tua do të marrin fund pas leximit të një shkrimi të gjetur online, që fillimisht ta mban frymën pezull dhe të vërtit në ajër për sa kohë mbledh veten për të thënë të vërtetën boshe.

Ehhh e di dhe mua më ka ndodhur disa herë…

Por ajo çfarë më habit në këtë marrëdhënie është simbioza. Askush nuk do të shkruante, nëse nuk do të kishte klikues, se përsa u përket lexuesëve, numri i tyre i pakët nuk rëndon aspak xhepin e askujt. Në anën tjetër, asnjë shqiptar nuk do e besonte të vërtetën pa u gënjyer disa herë. Aq sa mendoj se janë të paktë ata që mëngjesin e nisin sot. Një pjese prej tyre gjumin nuk ia u nxjerrë alarmi i orës, por gënjeshtrat e thëna dje, e disa të tjerëve plani i mashtrimit për nesër.

Thasët e fajit të mos ia varim në kurriz vetëm medias, se ka plot ngarkesa mbi shpinë që i kanë deformuar shtyllën kurrizore. Të nisim shpërndarjen e pakove duke shfrytëzuar slitën e drunjtë të Babagjyshit që e ka braktisur në Shqipëri prej kohës që i pafajshmi i fundit e pa tek maskohej pas dere.

Jo më larg se pak orë më parë, edhe ty, ashtu si mua, ta tërhoqi vëmendjen një vitrinë e bukur, teksa mundoheshe të shmangie stërkalat në pllakat lëkundëse. Virtualisht hyre në të, por fizikisht parandalove fyerjen e radhës së intelektit tënd. Do të ishte e tepërt të luaje sërish rolin e naivit, që kohët e fundit falë praktikës, të ka bërë të ndjesh në lëkurë trishtimin e Leonardo Di Caprios në çdo mbrëmje të ndarjes së çmimeve OSCAR. Unë jo, por besoj se as ti, këtë rol nuk e kishe të lindur, por ishte produkti i parë që bleve me dëshirë nga dyqani maskave, pasi ai i hetuesit të cilësisë ishte i keqpërdorur.

Le ta vëmë dorën në zemër dhe për bizneset, kanë aq shumë halle këtë periudhë sa tregohemi egoistë të mëdhenj po nuk pranuam gënjeshtra dhe prej tyre.

Më pëlqen ndjesia e të qenit “zemërmirë”, më kujton portretin e Nënë Terezës që e nxjerr nga portofoli sa herë i lutem të mos mashtrohem pa dijeni.

Me që ra fjala, ju ku drejtoheni për të zgjidhur problemet tuaja? Ose më saktë ku i ndalni hapat më parë, se ndodh që zgjidhjen ta gjesh dhe diku tjetër? Unë fillimisht trokas në zyrat pritje-përcjellëse. Më pëlqen të dëgjoj “Eja sërish nesër për të mbaruar punë”. Për çudi asnjëherë nuk harroj të rikthehem të nesërmen t`i tregoj se si e mbarova punën që dje.

Të mos u vëmë faj as atyre. As për ta nuk është e lehtë të rikthehen çdo të nesërme në atë zyrë të mbyllur, që vetëm hapja e derës lëviz ajrin.

Nëse do të mundja, do t`ju lutesha t`i falni të gjithë ata që janë të detyruar të na gënjejnë. Falë tyre, ne kemi fituar shumë, më shumë se çfarë ata humbën. Atë që edhe Dekartit skeptik ju desh kohë ta artikulonte…

*Shkrimet e Itës i gjeni dhe në blogun e saj.