Për të gjithë të interesuarit disponoj një palë mend të cilat kam vendosur t’i shes. Jo, jo nuk bëhet fjalë për arsye emigracioni.

Janë prodhim shqiptar i para viteve `90. Të them të vërtetën nuk i kam blerë por mi kanë dhuruar, ndërsa për mirëmbajtjen e tyre, po, jam kujdesur personalisht. Ju siguroj që produkti që po nxjerrë në shitje është në gjendje shumë të mirë. Ju garantoj që nuk janë keqpërdorur në asnjë rast, pasi kanë punuar me ngarkesë të plotë vetëm gjatë 17 viteve shkollë.

Më tej siç mund ta kuptoni, filluan të bëheshin të bezdisshme. Nuk më hynin më aq shumë në punë sa më parë. Pasi ishte e kotë të mendoja, rruga ishte e shtruar dhe vendimet merreshin nga të tjerë. Kryesisht vendimmarrës pa mend që më bënin të ndihesha në faj për peshën e tyre.

E pashë që nuk kishte më vlerë të harxhoja energji, pasi sa herë tentoja, mendtë e mia më shtynin të shihja përtej të dukshmes, dhe më fshinin shpesh herë optimizmin. Sado që në shumë raste më detyronin të mbyllja sytë, veshët apo dhe gojën, nisnin të zhurmonin dhe zërin e brendshëm.
…ndaj i nxorra jashtë përdorimit.

Sa herë i ritakojë, filloj të shoh botën ndryshe, dhe të mos ndihem mjaftueshmërisht e lumtur. Kështu që çdo rikthim përfundon shpejt në ndarje.
Arsyet pse kam vendosur të shes mend, është se po më rëndojnë shumë, dhe nuk ia vlen ti lë jashtë loje deri sa t`u afrojë afati i skadencës, pasi mund të ketë njerëz që iu nevoiten më shumë se mua.

Ndaj nëse ka të interesuar që mendojnë se mund t`u hyjnë në punë dhe t`i përdorin më mirë se unë, le të kontaktojnë.
Nuk është e lehtë të marrësh këtë vendim, por kur sheh përreth, që ata me kokë më të lehtë fluturojnë më lartë, vendimi bëhet obligim.

Në këtë vend ku jetojmë, të ecësh me këmbë në tokë është e lodhshme, ndaj ata që dinë ç`është lumturia, janë ata që fluturojnë.
Një nga vështirësitë e këtij vendimi është dhe frika për t`i humbur përgjithmonë. Pasi ashtu të fshehura diku, në çdo situatë të vështirë mund t`u rikthehesh për konsultim, ndërsa më vonë nuk do të ketë më zgjidhje. Por ajo që ma lëkund këtë frikë, është shpresa se në vazhdim nuk do të dalloj më situata pa rrugëzgjidhje, pasi nuk do të ketë më rrugë, rrugë, por vetëm hapsirë pa fund.
Ëndërroj se pa to, mund të fluturoj e qetë kudo, pa zinxhira arsyeje apo litarë ndërgjegjeje. Do të mund të shikoj, dëgjoj dhe them vetëm çfarë më pëlqen… s`ka më “sepse kështu duhet”. Pasi nuk do të ketë më kush të më jap mend… do të jem njësoj si shumë të tjerë…
Në të njëjtën kohë do të shpëtoj njëherë e mirë nga kujtesa. Ju paralajmëroj se blerja e mendëve të mia shoqërohet dhe me kujtesën, valixhe e cila është tejet e rëndë, mos më thoni që nuk ju thashë.

I kam palosur në të të gjitha fytyrat që më kanë rrethuar, të gjitha sjelljet e tyre, shpesh herë dhe të dyfishta. Kjo pesha e madhe e kujtesës është një arsye e mirë për ta hequr qafe, pasi kohët e fundit ka filluar të më shqetësoj…
Si çdo vendim tregu, as kjo ofertë për shitje nuk vjen rastësisht. Të jem e sinqertë, mendoj se kjo periudhë është koha e duhur për të shitur mend. Pasi duke i shitur me dëshirë diçka përfiton, ose në të kundërt, me aq sa po shohim, mendtë po nuk t`i morrën do të ikin vetë…

P.S: I lutem blerësit të ketë kujdes në përdorim, t`i përmbahet instruksioneve. Kategorikisht blerësi nuk duhet t`i nxjerrë më në shitje, pasi mund të tundohem t`i kem sërish…

*Shkrimet e Itës mund t`i gjeni dhe në Blogun e saj.