Bonjour Paris, sot jemi zgjuar ndryshe! Festimet e djeshme na kanë fshirë kujtimet, dhe ndoshta nuk do të mbajmë mend rrugën që stërgjyshërit tanë ndoqën 97 vite më parë. Por, kjo pak rëndësi ka, do të gjejmë një të re.

Pas Konferencës së Paqes në Parisin e 1919, në Shqipëri dhe mes shqiptarëve, jo shumë gjëra kanë ndryshuar. Në Shqipëri mes shqiptarëve, ndonëse janë lëkundur disa herë themelet, nuk ka munguar kurrë dëshira dhe nuk është shuar kurrë vatra e besimit. Në flakët e saj, së fundmi u dogj dhe mentaliteti i drejtimit nga ata, që poshtë kostumit të zhytësit nuk kishin ideale, ndërkohë që pilotëve të zotë iu ishin prerë krahët e fluturimit.

Stërgjyshërit tanë nuk ja dolën të udhëtonin drejt Parisit me valixhe të mbushura me shpresë, edhe në kthim, ata harruan gjithçka dhe morrën me vete vetëm zhurmën e trokitjes se çekiçit të ankandit.

Sot historia rrotullohet në anën tjetër.

Ata që u sulën ta kafshonin një shekull më parë, sot mbetën të helmuar nga pluhuri i parakalimit. Ata që në tregun e zi, shisnin pëllëmbët e një toke të përgjakur, sot mbajnë rradhët për të blerë në merkato, talente me gjak shqiptari.

Sot Shqipëria shkon ndryshe në Paris. Ndryshe nga një shekull më parë. Një shekull që e përçau dhe e lau në gjak. Gjak që na vrapon në vena e na skuq fanellat, dhe si pena e mësuesve korrigjon gabimet. Korrigjon gabimet jo vetëm të historisë, por dhe ato të neglizhencës së Shqipërisë.

Rrota u rrotullua… më në fund timonin e kemi vetë në dorë…

*Shkrimet e Itës mund t`i gjeni dhe në blogun e saj Makiato me qumësht të ftohtë.