Të mbledhur kokë më kokë shkëmbenin gumëzhimat mes tyre. Buzët e tendosura shuanin etjen e veshëve të tharë. Sytë nuk e frenonin dot dëshirën për të mësuar më shumë. Akrepat rëndonin zembrekun e lodhur dhe vetëm koha ngecte.

Avujt e psherëtimave u ngjitën mbi kokat e tyre, derisa ftohtësia e të vërtetës i zbrazi si shi mbi ta.

Turma u hap për lajmësin kokë ulur. Muri më i lartë u bë shkallë. Dridhjet e zërit të trembur tundën tokën: “Media vdiq!”- tha ai.

Jehona nxorri mantelin e kohës dhe mbështolli me të kokën e lagur  duke mbajtur veshët me duar, në pritje të fjalës së fundit të lajmësit të parë. 

“Media nuk është më mes nesh. Prej pak kohësh ajo përpëlitej në shtratin e vdekjes me simptomat e gjakut të helmuar”.- Lotët e turmës së etur kishin mbetur në mes të rrugës nga syri drejt nofullës së poshtme. Ata ende nuk dinin c’të bënin me to. Instikti i shtynte të zhvillonin më shumë dëgjimin që pengohej nga sshhhttt! e shpeshta kurioze. 

“Organizmi i saj nuk mund të përballonte më. Ndalimi i gjakut të helmuar në tru i nisi t’i pengojë mos funksionimin e mirë të gojës në përtypjen e ushqimeve, ndaj gëlltiste me vështirësi porcione të mëdha ushqimi të thartuar koncentratësh”. –Lajmësi ndali për pak sekonda. Vështrimi iu rrudh. Diku dalloi dritën e zbehtë të një blici, më tej një shkrepje. Pak më tutje, disa të tjerë...

Ai uli sërish sytë, dhe vazhdoi leximin e përmbledhjes që i kishte bërë raportit të mjeksisë ligjore “Prej kohësh, madje dhe stomaku i kishte humbur aftësinë tretëse, duke i hapur gjerësisht dyert për bakteret. Shumimi i tyre në organizëm i shkatoi ethet e pashpjegueshme të shoqëruara me djersët e ftohta; madje, dhe ngjyrën e zbehtë të cilën mundohej ta fshihte pas grimimit të faqeve rozë apo vetullave të larta”. - Për një cast harroi detyrën e lajmësit që i kishin caktuar dhe në portretin e tij pikturoi tiparet e ekspertit të shumë-ditur, që adhuronte së fundmi përtej ekranit. Blici i fortë i një smartphoni e përmendi.

“Fatkeqësisht simptomat nuk arritën t`ja shëronin në kohë, edhe pas përpjekjeve të palodhura të bluzave të bardha, të cilët për këtë rast nënshkruan një marëveshje binjakëzimi për shkëmbim instrumentesh, me shefat e kuzhinës. As serumet e ëmbla nuk i bënë dot punë... Por të paktën u nda nga ne pa dhimbje... drejt një jete më të denjë”.

Lajmësi morri frymë thellë. Shkëputi sytë nga letra që mbante në duar. U hodhi një shikim kolegëve të tij. Më pas me kokën lartë humbi vështrimin në turmë dhe tha : "Media Vdiq! Rroftë Media!"

Turma brohoriti... Në ajër u valëvitën shamitë e lagura, lotët e të cilave rrëshkitën shpejt prej copëve të mëndafshta...