Ai ishte një artist. Këtë, askush, kurrë, nuk e kishte diskutuar. Mënyra si ecte, vendosja e gjurmëve të çrregullta mbi rërën e pashkelur, të zgjonin mijëra ndjesi, të ngjashme me pikturimin e reve në një kohë me qiell të qendisur. Tonaliteti i zërit, të krijonte mornicat e kulminacionit të një arie ende të pashkruar. Nëse në dorën që lëvizte, tek përpiqej të shpjegonte më shumë sesa fjalët munden, të kishte një penel të sapo zhytyr në kutinë e bojës, shënjimi i saj do të ishte patjetër një pikturë që nuk do të harrohej shpejt.

Vetëm ai nuk e dinte këtë. Nuk e dinte, sepse ishte gjithnjë në kërkim të asaj që nuk kishte. Nuk linte vend pa gërmuar për të zbuluar më shumë ngjyra, të vishte telajon e bardhë si dëbora e janarit.

Kavaleti qëndronte në një cep të pandriçuar mirë të dhomës së vogël të punës. Telajo e ruajtur me kujdes ndër vite, ishte shumë larg saj e mbështjellë me fletë të zverdhura gazetash. Ndërsa  tavalozi i ngjyrave, i paster ashtu si nuk duhej, ishte mbi tavolinë. Vetëm kjo e shqetësonte. Kërkonte më shumë ngjyra për t`i prishur pastërtinë. Nuk i mjaftonte e kuqja si gjaku që rrjedh në vena, as e gjelbra si gjethja e parë e pranverës pas një dimri ngricash, nuk i hynte aspak në sy e verdha e artë e një dielli të zjarrtë dhe as ngjyra blu si det i patrazuar. Ai kërkonte më shumë, pa e ditur që kishte gjithçka…

Iu dorëzua një çast reflektimit… Çfarë nevojitet më shumë për të pikturuar një jetë, kur ti mund të qëndrosh vetë në këmbë si një kavalet, e të mbash në duar jetën tënde si një telajo, përzien në tavaloz pasionin, dëshirën, shpresën, guximin për të provuar dhe të gjitha sëbashku në harmoni i hedh mbi telajon e bardhë. Por që këto ngjyra të mos humbin shkëlqimin si koha, telajo duhej lustruar më parë. Dhe elementi që ia mundëson këtë është shëndeti. Atë që edhe pse është parësori, e vendosim të parin vetëm në urime festash.

…Kishte nisur të vepronte në një hap me mendimin. I lumtur për atë çfarë pa, pikturën e titulloi “Më mjafton vetëm një jetë”…  

Ehhh, në fakt një e dytë do ia vështirësonte më shumë punët…