Edmond Tupja i kthehet një prej temave më të komentuara të veprimtarisë së tij si shkrimtar dhe studiues, fjalorit erotik. Këtë herë, në botimin e sjellë nga Pegi dhe që do të gjendet në të gjitha libraritë, është përqendruar te erotizmi i fjalëve që emërtojnë fruta, lule dhe perime.

Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh

Autori: Edmond Tupja

Data e botimit: Prill, 2017

Numri i faqeve: 132

Çmimi: 700 lekë

Botime Pegi

Lulet, frutat dhe perimet janë shkasi më i mirë për t'u thelluar në imagjinatën e përbashkët erotike të gjuhës dhe kombit shqiptar.

Siç shihet edhe nga titulli i këtij fjalori, autori ka përfshirë në të lulet, frutat dhe perimet, duke u përpjekur, jo vetëm të vërë në dukje tiparet erotike të këtyre tri kategorive, por edhe të provojë se, nga ana fonetike, shpesh emrat e tyre shpalosin ose krijojnë një atmosferë erotike, për të cilën rrëfen edhe një ngjarje krejt të imagjinuar, por të përshtatshme vetëm për publikun shqiptar dhe për gjuhën shqipe.

Nëpërmjet këtyre ngjarjeve, autori ka arritur të shpalosë disa shprehi apo gjeste të përhapura të kulturës sonë, i ka vendosur ato në kontekste sa erotike, po aq edhe gazmore apo satirike, duke paraqitur kështu një pjesë të rëndësishme e të lashtë, sa edhe të censuruar, në letrat shqiptare.

Pa dashur të vërë kufizime për lexueset dhe lexuesit, Pegi thekson se ky fjalor, gjithsesi zbavitës, do t’i shijonte më shumë një publiku të rritur, pra, në moshë madhore, dhe, mundësisht, me njëfarë përvoje erotike.

Autori

Edmond Tupja (1947) është profesor, përkthyes, publicist dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të zotë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Vajzat e ballkonit”, “Fjalori erotik” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autori i veprave autobiografike si “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.