Vonesat në fluturime apo anulimi i tyre nga kompanitë ajrore janë një situatë e njohur nga të gjithë. Kujt nuk i ka ndodhur që të paktën të paktën një herë të prisë në stolat e aeroportit për një zgjidhje. i tillë ka qenë rasti i atyre që kishin prerë një biletë për fluturimin e linjës Tiranë-Verona në datë 1 dhjetor 2017, por kanë pritur 10 orë në aeroport.

E dini se për këto raste mund të plotësohet një formular ankese për të kërkuar të drejtat? Pasagjerët e fluturimit të linjës së sipërpërmendur kanë plotësuar këtë formular dhe Autoriteti i Aviacionit Civil bëri me dije  se kompania ajrore ka pranuar ankesën duke u dhënë të drejtën e kompensimit në vlerë monetare, shkruan Monitor.

“Autoriteti i Aviacionit Civil njofton të gjithë pasagjerët e fluturimit të linjës Tiranë-Verona, nr. fluturimi BV2235 të dt 01 dhjetor 2017, se formulari i ankimimit për vonesën 10 orë ndaj kompanisë, është pranuar.

Pas insistimit nga Autoriteti Aviacionit i Civil, pasagjerët që plotësuan formularin e ankimimit në 01.12.2017, do të kompensohen në vlerë monetare nga kompania për vonesën. Ftojmë gjithë pasagjerët që plotësuan formularin të kontaktojnë shërbimin e klientit të kompanisë, në numrat e telefonit: +390698956666  ose me email:  [email protected]” thuhet në reagimin e AAC.

Autoriteti i Aviacionit Civil, nga ana tjetër, ka kërkuar që qytetarët për çdo rast të plotësojnë formularin.

“Autoriteti i Aviacionit Civil apelon gjithë pasagjerët se për çdo ankesë për vonesa ose anulime fluturimesh nga kompanitë ajrore, të mos hezitojnë por të plotësojnë formularët e ankimimit, dhe t’i dërgojnë te kompanitë përkatëse, për të mbrojtur të drejtat e tyre” përfundon Autoriteti.