Pakkush e mban mend si adoleshenten lozonjare, pak pas përfundimit të studimeve në Liceun Artistik, kur ende mjaft e re, u bë pjesë e konkursit të bukurisë në vitin e largët 2001. Ajo pasarelë bukurie ishte ylli i saj i fatit, që shumë shpejt do të shkëlqente në skenat e festivaleve. Derisa, pak kohë pas pasarelave të modës, do të pushtonte faqet e mediave rozë si një prej këngëtareve premtuese të muzikës së lehtë shqiptare. Ndonëse e nisi rrugën e artit në pasarela, kënga ishte karrigia e saj e sigurt për të ardhmen: “Kam hequr dorë nga moda, sepse dua t'i kushtohem seriozisht vetëm muzikës” – u shpreh ajo në një intervistë për mediat disa vite më parë. Dhe këtë koha do ta tregonte shumë shpejt.

Sot, Anxhela nuk është vetëm një nga këngëtaret më të mira të muzikës së lehtë shqiptare, por edhe një nga më të ndjekurat e muzikës live në Tiranë, aq sa publiku i shoqëron, i këndon dhe i duartroket çdo javë këngët e saj. Të njëjtën gjë ka bërë edhe gjatë javëve në spektaklin Your Face Sounds Familiar, në Tv Klan, ku Anxhela është konsideruar nga të gjithë si surpriza e show-t, jo vetëm për zërin e veçantë, interpretimin unik dhe punën e përkushtuar javë pas jave, por edhe për mirësinë dhe humorin që e karakterizon.

Megjithatë, ka ende diçka të mjegullt për publikun – gjithmonë kureshtar kur bëhet fjalë për jetën personale. Pak kohë më parë, faqet e shtypit rozë dhe portalet online u morën gjatë me “historinë” e Anxhelës dhe Erik Lloshit, pas duetit të tyre në Këngën Magjike “T'kam bërë të qash”, i cili ngjalli dyshimet se ata të dy po jetonin një romancë. Por të dy këngëtarët deklaruan se janë miq shumë të mirë dhe... asgjë më shumë se kaq.

Edhe pse ende single, në pritje të dashurisë së vërtetë, Anxhela mendon se për të ia vlen të sakrifikosh shumë, nëse do me të vërtetë dikë. Në Pyetësorin e Dashurisë, 30-vjeçarja duket sa racionale, aq edhe emocionale kur është fjala për ndjenjën e thellë, çmendurinë e ëmbël dhe atë që të bën pafund të lumtur... apo atë që të bën pafund të qash?

Dashuria e parë, të kujtohet?

Po, më kujtohet.

Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?

Puthja e parë për mua ka qenë edhe zbulim, edhe zhgënjim, hahaha.

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?

Patjetër. Nëse e do dikë me të vërtetë, duhet të ngulësh këmbë.

Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shots-a rresht?

As njëra, as tjetra. Ka pak lidhje me alkoolin, por ose e pi dhe bëhesh tapë, ose nuk pi fare, d.m.th ose dashuron thellësisht, ose nuk e merr mundimin fare.

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?

Të qenit vetvetja.

Kategoritë e meshkujve që nuk të pëlqejnë?

Fodullët.

Çfarë përdor për të joshur: bukurinë, pasurinë, trurin, humorin?

Mendoj se janë të gjitha në kompleksitet.

Shqisa më e rëndësishme në dashuri.

Gjuha. Edhe në funksionin e saj fillestar, por sidomos në komunikim.

Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?

Nuk e mbaj mend fare.

Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?

Jo, është kompleks me vetveten.

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?

Sigurisht më e menduar. Vjen gradualisht gjithçka. Me shikim të parë mund të ketë vetëm pëlqim.

Serial lover-at i shmang apo të joshin?

U shmangem, sigurisht.

Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?

E pasuron dhe luan rol të rëndësishëm për një raport të shëndetshëm.

Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?

Dashuria është vetë një çmenduri e ëmbël.

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?

Duhet të këtë pak nga të dyja. Të ngjashëm deri diku dhe të kundërt deri diku.

Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?

Të shihemi ne sy.

Sakrifica apo lule dashurie?

Sakrifica dhe mbas tyre edhe lule.

Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?

Thjesht e kupton. Nuk ka ndonjë pikë të veçantë. Është diçka që ndihet.

Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?

Do të doja në një ishull duke ngrënë fruta deti dhe duke kërcyer muzikë latine.

Dashuron shumë? Apo mesatarisht?

Në dashuri nuk ka vend fjala mesatarisht. Vetëm pafund.