Në dasmën e Elia Zaharias, motrës së Amosit, marrëdhënia e Gigliola-ës me aktorin u bë publike, edhe pse ata të dy nuk e kishin mbajtur as më parë të fshehtë. Veshur me një fustan ngjyrë mustardë, e njëjta ngjyrë si bluza e veshjes casual që kishte mbrëmjen kur takoi për herë të parë Amosin, Gigliola u fotgrafua atë ditë me të dashurin, por edhe motrën e mamanë e tij, Yllka Mujon. Gjithçka dukej shumë normale. Asgjë e komplikuar, e fryrë apo e shtirur. Si njëri dhe tjetri, është e qartë që janë të paaftë për këtë. Të vërtetë, të çlirët, me humor, të ëmbël, të pafrikësuar për ta shprehur dashurinë, të paangazhuar për ta bërë të duket ndryshe nga ç’është, Amosi dhe Gigliola mund të bëhen në çdo kohë të dashuruarit e preferuar të kujtdo. Dhe këtë histori dashurie, kaq të vërtetë, sa romantike aq dhe moderne, e tregon që nga dita…mbrëmja e parë, Gigliola Haveriku, psikologia klinike e njohur për pjesëmarrjen në The Voice of Albania.

Dashuria e parë, të kujtohet?

Po, e kujtoj, e quaj ‘dashuria e fëmijërisë’.

Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?

Hmm zbulim, sepse ishte diçka e re e panjohur përveç çfarë kisha parë nëpër filma.

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?

Mendoj se për çdo gjë të bukur dhe të dashur duhet ngulur këmbë e nuk duhet dorëzuar. Dashuria është një nga ato gjëra...

Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?

Tre shot-sa tequila njëra pas tjetrës! (Haha)

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?

Strategji… nuk di nëse do të quhej e tillë, por mendoj se natyrshmëria dhe thjeshtësia …(të paktën nga ajo çfarë më tregon Amosi haha).

Kategoritë e djemve që nuk të pëlqejnë?

Nuk ka një kategori të caktuar, por besoj që tashmë di të evidentoj disa karakteristika që nuk më pëlqejnë si p.sh. ata të cilët qëndrojnë shumë brenda kornizave dhe nuk janë aspak instiktiv, ata të cilët tregojnë mungesë humori, ironie dhe inteligjence. Serioziteti i tepërt më mërzit ashtu siç më frikëson fakti që të rri me dikë e mos të mësoj asgjë të re nga ai.

Çfarë përdor për të joshur: pamjen, pasurinë, trurin, humorin?

Mendoj se shikimi dhe truri janë dy elementet që përdor më shumë kur dua të josh, të flirtoj me dikë.

Shqisa më e rëndësishme në dashuri.

Prekja! Në përgjithësi jam natyrë shumë ‘fizike’..por edhe nuhatja, aroma e trupit të njeriut që do është si drogë!

Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?

Hah! E mbaj mend veshjen time ‘casual’ atë natë: bluzë-triko ngjyrë mustardë, streçe të zeza dhe çizme.

Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?

Jo absolutisht.

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?

Dashuri me shikim të dytë do të thoja. Atëherë kur takon personin që do të biesh në dashuri. Mbase nuk bie direkt sapo e sheh, por e ndien që do të ndodhë shumë shpejt..

Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?

Mendoj se dashuria dhe seksi me njeriun që do, ecin paralele me njëra tjetrën.

Serial lover-at i shmang apo të joshin?

I shmang. Kam një natyrë tepër dyshuese dhe xheloze. Nuk mendoj se do të kishte një të ardhme me një tip ‘don zhuan’.

Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?

Më shumë se tri…

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?

Mendoj se duhet të kesh mendime dhe mënyre jetese të ngjashme, por karakter të kundërt për një lloj balance.

Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?

Padyshim të shohim të dy në të njëjtin drejtim.

Sakrifica apo lule dashurie?

Sakrifica nëse janë të nevojshme.

Bëjmë një bilanc të historisë suaj?

Me Amosin ishte një njohje e rastësishme, që më bëri të besoj gjithmonë e më shumë në ‘destino’. Njoha një njeri të mrekullueshëm, një shok, që më habit çdo ditë e më shumë me mirësinë e tij, inteligjencën, përkushtimin, vlerat e parimet e tij. Ndihem e qetë dhe kemi një komunikim shumë të mirë me njëri tjetrin, që mendoj është diçka shumë e rëndësishme në marrëdhënien në çift. Jam e lumtur dhe e dashuruar.

Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?

Momenti kur takon dikë që është shoku yt dhe njeriu që, sa herë e sheh të jep një të dridhur zemrës si të ishte hera e parë, atëherë mendoj se është diçka shumë e veçantë!

Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?

Parisi me baby-n. Petulla me mjaltë (haha). Eric Satie.

Dashuron shumë? Apo mesatarisht?

Dashuroj marrëzisht! Jepem e tëra kur dashuroj vërtet.