Stela Kotri që ka shoqëruar mëngjeset tona vitet e fundit, në Ora News me “Ditë e re” dhe aktualisht në Channel One me “Lind On”, flet për diellin e ri që po lind në familjen e saj, djalin e dytë, dashurinë e parë të madhe Eros, tashmë 5 vjeç e gjysmë dhe më shumë nga të gjithë për Klodin, edhe pse emri i tij përmendet vetëm një herë, por ai është kudo sepse ai është dashuria e parë, ai është dashuria e 14 viteve, ai është historia që Stela ka ende njëlloj dëshirë ta jetojë…

Dashuria e parë, të kujtohet?

Sigurisht sepse edhe sot vazhdoj të bashkudhëtoj me të.

Puthja e parë, zbulim apo zhgënjim?

Zbulim.

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?

Për dashurinë e ndërsjelltë këmbëngulja është më e pakta që mund të bëjmë, sepse siç pranojmë që pa dashuri është e pamundur të jetojmë të lumtur, me të njëjtën forcë duhet të insistojmë për ta jetuar sa më gjatë dhe bukur atë...

Të biesh në dashuri, një marramendje e lehtë, apo tre shots-a rresht?

Të biesh në dashuri është një marramendje që të tund themelet e vetes.

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?

Origjinaliteti mposht çdo taktikë joshjeje.

Kategoria e meshkujve që nuk të pëlqejnë?

Meshkujt me komplekse inferioriteti dhe që shesin vlera që në të vërtetë nuk i kanë.

Çfarë përdor për të joshur, pamjen, pasurinë, trurin apo humorin?

Të qenurit e thjeshtë me një mendje të bukur josh më shumë se çdo pamje provokuese.

Shqisa më e rëndësishme në dashuri

Shqisa më e fortë është kimia që vjen natyrshëm midis dy njerëzve dhe që nuk zëvendësohet dot as nga fjalët e bukura dhe as nga strategjitë.

Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?

Si një 15-vjeçare që ende nuk e dinte që po takonte partnerin e jetës, por e impenjuar sigurisht.

Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?

Është sindromë për çdo femër kjo qoftë apo jo në dashuri.

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?

Dashuria mund të nisë me  shikim të parë, por duhet pasuar shpejt nga i dyti, i treti e kështu me radhë...

Seksi e pasuron dashurinë, apo e kundërta?

Marrëdhënia fizike kur harmonizohet bukur me atë shpirtërore them se janë mishërimi i lumturisë.

Serial lover-at i shmang apo të joshin?

Serial lover-at as në filma nuk janë personazhet e mia të preferuara.

Një, dy, tri, apo më shumë çmenduri për dashurinë?

Çmenduritë e dashurisë janë gjithmonë të pranueshme sepse justifikohen nga fakti që ndodhin nga forca e shpirtit.

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?

Në dashuri e kundërta tërheq gjithmonë.

Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?

Të shohësh në një drejtim sigurisht, por pikënisja të jetë nga sytë e njëri-tjetrit.

Sakrifica apo lule dashurie?

Sakrifica pa diskutim, lumturia nuk të bie nga qielli. Është investim që të merr energji dhe mund, ama në fund shijon më shumë se çdo lule.

Bëjmë një bilanc të historisë suaj?

Historia ime e dashurisë e ka nisur rrugëtimin herët, gati 14 vite më parë. Nisi në kohën e adoleshencës kur edhe jetohet më bukur pasi nuk bën llogari, nuk njeh kompromise apo thur plane, por thjesht lë veten të udhëhiqesh nga ndjenja. Por si çdo rrugëtim i gjatë edhe yni është forcuar nga sakrificat, vullneti dhe dëshira për të shkuar sa më larg bashkë sepse fundin ende nuk e dimë...Ndaj tani në bilancin që bëj them se jeta me mua është treguar bujare duke më dhënë shansin të jetoj dashurinë brenda një shtëpie ku investohet çdo ditë për të rritur lumturinë e njëri-tjetrit. Sot e kam zemrën të mbushur plot nga 2 meshkujt e jetës sime, nga dy djemtë e mi them shpesh me shaka, i madhi, (bashkëshorti Klodi) dhe i vogli im Eros, tashmë 5 vjeç e gjysmë, por Zoti na bekoi dhe me pritjen e një engjëlli tjetër të cilit edhe pak i ka mbetur për të ardhur e për të na zbukuruar jetën, ndaj them se një diell i ri po lind pasi rrezatimi i tij ka nisur të na ngroh shpirtin që tani.

Nga e kupton që historia jote është dashuri e vërtetë?

Besoj për sa kohë ndiej ende se kam forcë dhe dëshirë të jetoj nën ujërat e kësaj dashurie, e tillë është.

Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një vend, ushqim, muzikë?

Dashuria nuk mund të përkufizohet nga asgjë sepse ajo i kalon dimensionet, vendet dhe është aty ku s’e pret.

Dashuron shumë apo mesatarisht?

Nuk ka matës të përcaktuar për dashurinë, por demostrohet rrugës ndër vite se sa e madhe apo e vogël është rëndësia e saj.