Kur të gjitha vajzat mësuan se dyshimi i ndjerë i Alban Ramosajt “A më do” ishte në fakt një histori personale, e cila u bë kolonë zanore e shumë historive të tjera, këngëtari e zgjeroi menjëherë hartën e publikut femëror. Dhe jo vetëm për shkak të baladës, por sepse bashkë me të, Albani tregoi se edhe atij i thyhet zemra kur është fjala për dashurinë e vërtetë … Dhe ja ku është. Albani përgjigjet për dashurinë me disa pyetje pikante. Sipas tij, pas një zhgënjimi, ndoshta nuk ia vlen të ngulësh këmbë, sidomos atëherë kur e kupton që ndjenja nuk është njëlloj e barabartë për të dy, ama që dashuria është ҫmenduri, ai këtë nuk e vë fare në diskutim. Edhe pse mendon se shqisa më e rëndësishme në dashuri është empatia, veten, në fund të së gjithës, Albani e konideron një romantik të pashpresë… ndoshta në pritje që t’i ndodhë prapë… fiksimi me shikim të parë.

Dashuria e parë, të kujtohet?

Sigurisht që më kujtohet, nuk besoj se harrohet ndonjëherë.

Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?

Por nuk e mbaj mend puthjen e parë (qesh).

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?

Po të më pyesnit para disa kohësh, do thosha PO, por nëse nuk funksionon, është e kotë lodhja, sepse do rezultojë njësoj.

Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?

Varet, asnjëherë nuk dashuron njësoj, sepse nuk ke të bësh me të njëjtin person, ҫdo herë të del diҫka e re, ndaj e vështirë të them nëse është njëra apo tjetra. Di të them që ҫdo gjë në jetë ka një fillim dhe mbarim. Në këtë rast gjithmonë fillon mirë dhe në raste shumë të rralla mbyllet dhe e tillë. Brenda pyetjes, ul gotën e shots-it dhe porosit një tjetër.

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?

E vështirë ta përcaktoj, duke qenë se më vjen natyrshëm ҫdo gjë dhe nuk mundohem të bëj diҫka të menduar, mbase është kjo e fundit?

Çfarë përdor për të joshur: bukurinë, pasurinë, trurin, humorin?

Sigurisht kur je në "aksion", je i tëri në veprim, natyrshëm, ҫ'të të vijë për të përdorur do jetë aty duke u përdorur.

Shqisa më e rëndësishme në dashuri?

Empatizmi.

Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?

Nuk e mbaj mend qartë. Me sa kujtoj, ishte verë dhe ajo kishte veshur ose një fustan, ose një bluzë të gjatë të verdhë.

Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh, është shenjë dashurie?

MBase. Nuk më ndodh që të më japë këto simptoma dashuria (qesh).

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?

Fiksim me shikim të parë PO. Më ka ndodhur, dhe PO, do doja të më ndodhë prapë.

Serial lover-at i shmang apo të joshin?

E përfytyroj jetën time në një shtëpi druri afër një pylli, buzë një përroi me dy ose tre fëmijë… besoj se e kuptuat përgjigjen, jam monogam.

Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?

Yin Yang....

Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?

Vetë fakti i të rënit në dashuri është një formë ҫmendurie.

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?

Kam përshtypjen se dy personalitete të kundërta do kishin një lidhje më të qëndrueshme. Nuk di ta them.

Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?

Sy. Sigurisht që në sy.

Sakrifica apo lule dashurie?

Sakrifica, bashkë me lule.

Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?

Natyrë, ҫfarëdo ushqimi të jetë, jam i lumtur dhe muzikë Indie ose quiet storm.

Dashuron shumë? Apo mesatarisht?

Romantik i pashpresë. (Qesh)