Një vit më parë nuk kishte këtë siguri skenike që ka sivjet, ashtu siҫ nuk e dinte se si do ta priste publiku. Edhe pse vinte i mësuar me skenën e X Factor Albania, për Dilan Rekën, skena e Festivalit është një përgjegjegjësi e jashtëzakonshme. Ajo nuk pyet nëse je 17, 18, 28-vjeҫar apo më shumë, ashtu siҫ nuk do të dijë nëse konkurron për herë të parë apo për herë të dhjetë. Të mban nëse je i talentuar dhe nëse punon fort për të dhënë më të mirën nga vetja, të mban nëse je i përgjegjshëm për të kuptuar se skena e festivalit nuk të fal në asnjë rast tjetër.

Në këtë pjesëmarrje të dytë të tij në Festivalin e Këngës, Dilani ka fituar pjekuri skenike. Pas suksesit të vitit të kaluar, ku ai u rendit në vend të 7-të me këngën e Endri Sinës “Buzëqesh”, ky vit i ka buzëqeshur edhe një herë tjetër. Me sigurinë që ka fituar dhe me punën e gjatë me zërin, Dilani thotë se ky vit është ndryshe. Në një prononcim për revistën Class, Dilan flet me siguri për këtë pjesëmarrje dhe mezi e pret të ngjitet në skenë: “Këtë vit, ndihem më i sigurt, edhe pse skena e Festivalit është një përgjegjësi shumë e madhe. Nëse do ta krahasoja me X Factor, ka më shumë peshë dhe është më sfiduese.”

Sigurinë më të madhe ia jep edhe kënga. Dy autorë të mëdhenj të festivalit kanë zgjedhur këtë vit Dilanin duke bashkuar forcat për të dhënë më të mirën: Edmond Zhulali dhe Agim Doҫi: “Është një këngë electronic, shumë ritmike, që me siguri do ta ҫojë në këmbë publikun, e ndiej” – rrëfen Dilani pa e fshehur emocionin dhe padurimin e një të riu që prek skena të mëdha si ajo e Festivalit të Këngës.

Në një skenë ku nuk është e thjeshtë të përballesh me emra shumë të rëndësishëm, gati-gati veteranë të muzikës, është njëkohësisht e vështirë edhe të përballesh me pretendentët. Siҫ ka ndodhur rëndom vitet e fundit, as ky vit nuk i ka përjashtuar lakimet e emrave specifikë, pretendentë për ta fituar këtë kompeticion të rëndësishëm muzikor. Flaka Krelani, Linda Halimi janë të paktën dy nga emrat që janë komentuar si pretendente të mundshme për të shkuar në skenën e Eurovisionit, por jo më pak pas tyre, edhe emri i Dilan Rekës. Autori i këngës, Agim Doҫi, në një intervistë disa javë më parë në “Xing me Ermalin”, deklaroi se këtë vit besonte shumë tek një këngëtar i ri si Dilani, te taleti i tij i jashtëzakonshëm, zëri i fuqishëm dhe siguria skenike: “Është një artist që premton shumë”, – tha ai duke iu referuar Dilanit.

Nga kjo “frikë” profesionalizmi duket se kanë lindur edhe diskutimet në rrjetet sociale edhe për emrin e Dilanit. Të paktën kështu e argumenton vetë 18-vjeҫari, pas pyetjes si i ka pritur këto lloj reagimesh dhe lajmesh se mund të jetë një prej fituesve: “Besoj se kanë të bëjnë emrat e autorëve të këngës: kompozitori Edmond Zhulali dhe poeti Agim Doҫi. Të dy së bashku kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, fillimisht me Anjeza Shahinin dhe disa vite më vonë me Kejsi Tolën.”

Por kjo lloj frike nuk e shqetëson aspak Dilanin. Më shumë se gjithҫka tjetër, ai ka qëllim ta ketë një performancë të shkëlqyer dhe ta bëjë publikun për vete në ato 3 minuta. Zërat, reagimet, urimet, përgëzimet, dashamirësit, por edhe ata që janë më pak, nuk janë kryesore, por nxitëse për të arritur më të mirën. Ashtu siҫ di të bëjë gjithmonë Dilan Reka – të jetë perfekt.

Mos harroni ta mbështetni Dilanin pasi të kenë mbaruar të gjitha këngët, duke klikuar në: http://votimi.festivali-rtsh.al/festivali.