Vijon nga 100 gratë që ndryshuan Tiranën.

Drilona Boçi - Altar

Drilona Boçi është një vajzë e re në botën e biznesit, por mjaft e zonja. Prej disa kohësh, ajo ka blerë kompaninë “ALTAR”. Siç mund të kuptohet edhe nga emri, në këtë sallon gjenden fustane nusërie dhe fustane mbrëmjesh, të dizenjuara nga stilisti kosovar Valdrin Sahiti. Fillimisht, ky biznes ishte në pronësinë e Elvana Gjatës, por këngëtarja vendosi të largohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ia shiti biznesin e saj Drilonës, e cila duket se po e drejton me shumë pasion e përkushtim.

Sava Bardhi – Sava Tours

“Nëse një hallkë shkëputet, atëherë prishet i gjithë zinxhiri” – është një prej motove që ka Sava Bardhi dhe e gjithë agjencia për të cilën ajo është përkushtuar prej shumë vitesh. Por e dinte qysh në fillim që nuhatja dhe disiplina janë aftësi që nuk të lënë kurrë në baltë. Kështu do të ndodhte edhe me Sava-n, brandi me të cilin kanë udhëtuar me mijëra shqiptarë në botë dhe që, pa frikë, e zgjedhin edhe për herë të dytë, të tretë... të njëzetë.

Eleonora Gjonpalaj - Globus Travel

Globus Travel është themeluar para 15 vitesh dhe tashmë është shtrirë dhe në New York e në New Jersey, si për t'i dhënë më shumë kuptim emrit të zgjedhur të kësaj kompanie udhëtimesh. Eleonora Gjonpalaj tashmë jeton në Amerikë nga drejton dhe veprimtarinë e Globus Travel, me një staf profesionist që përmbush me shërbim ekselent kërkesat e klinetëve. Me sa duket, e diplomuara për Matematikë, u ka gjetur zgjidhjen problemeve të drejtimit të një biznesi.

Ornela Zholaj - Global Travel

Themeluar në vitin 2003, Global Travel është një nga agjencitë më të njohura të udhëtimeve në vend, prej disa muajsh me një blog aktiv me të njëjtin emër ku ndahen këshilla të ndryshme dhe shumë të vlefshme. Pas saj qëndron Ornela Zholaj, tour operator, e cila dëshirën për të udhëtuar e ka kthyer në një biznes të suksesshëm. Të gjithë e kanë të njohur sloganin "Ju kushton më shtrenjtë të qëndroni në shtëpi". I përket Global Travel Albania, një tjetër biznesi të drejtuar nga një grua në Tiranë.

Florentia Erjola Xheka - Aluflor

Florentia Erjola Xheka ishte vetëm 23 vjeç kur themeloi kompaninë e ndërtimit Aluflor. Një mjedis mashkullor biznesi, por dhe një fushë mashkullore, nuk e stepën vajzën e formuar në Gjermani të ndiqte ëndrrën e saj. Fillimisht ishte i gjyshi që financoi plotësisht këtë kompani në fushën e ndërtimit që sot numëron shumë të punësuar dhe shumë partneritete dhe më pas, vajza që kishte jetuar për 16 vjet në Gjermani, tregoi që me aftësi, këmbëngulje e disiplinë mund të ngresh biznese të suksesshme në çdo vend.

Manjola Sulaj - Aquadrom

Çdo nënë kujdeset për fëmijët e saj, por kjo mama e re, ka menduar për fëmijët e të gjithë qytetit me biznesin që menaxhon, Aquadrom-in pranë Liqenit Artificial, ku gjatë gjithë sezonit ofrohen aktivitet për fëmijë në fundjavë. Është një hapësirë argëtuese jo vetëm për fëmijët, por dhe për të gjithë ata që duan të pushojnë pa u larguar nga qendra e qytetit fundjavave të verës. Gjithashtu Manjola është bashkaksionere e Tajvan-it, një nga investimet më të mëdha të Tiranës.

Ornela Muçaj - X Plan Studio

Ornela Muçaj është një arkitekte e njohur, por dhe një sipërmarrëse plot stil. Prej 20-vitesh, së bashku me bashkëshortin, ajo drejton një ndër studiot më të mëdha të arkitekturës në vend. “X Plan Studio” u krijua fillimisht nga Ornela, bashkëshorti dhe një grup i vogël të rinjsh, por tani është një biznes mjaft fitimprurës për familjen e Ornelës. Ornela, përveçse një arkitekte e zonja, është edhe një vajzë me shumë stil dhe në Instagram ka mbi 10 mijë ndjekës.

Pezana Rexha - Design by Pana

Një arkitekte e talentuar që fokusin e saj ndaj shoqërisë e ka vendosur edhe në aktivitetin e saj profesional. Ajo ka themeluar Design By Pana në nëntor të vitit 2013, një kompani inovative, kreative dhe ekologjike, që mbështetet në riciklimin e drurit. Tashmë Design by Pana ka një mjedis me qira ku realizon punimet dhe një dyqan të vogël ku ekspozon produktet, ndërkohë që gjendet dhe online.

Rezarta Shkurta - Hera Company

E njohur fillimisht në fushën e spektaklit dhe muzikës, Rezarta Shkurta ka krijuar me seriozitet dhe përkushtim edhe profilin e një sipërmarrëseje me Hera Company, një shoqëri që realizon sete fotografish për fëmijë, sete shtatzënie, por edhe foto për klientë të fushës së modës dhe fustaneve të nuseve në qytet. Hera Company është hapur tre vjet më parë dhe Rezarta ka vendosur shumë dashuri në të, që në përzgjedhjen e emrit, të njëjtë me të së bijës, e cila ka lindur vetëm pak para kompanisë. Që nga dita e krijimit, Hera Company është bërë një emër i njohur në tregun e studiove profesionale të ideimit dhe realizimit të fotove për fëmijë.

Soela Zani - Shkruaj me dritë

Një nga profesionistet e para që i është kushtuar fotografisë për fëmijë në studion e saj "Shkruaj me dritë", dhe pse edhe të rriturit kanë qenë dhe janë objekt i këtyre fotove. Soela Zani është një nga fotografet më të rëndësishme në konsolidimin dhe përhapjen e shërbimit të seteve profesionale për bebe dhe fëmijë në Shqipëri. Në vitin 2014, ajo ideoi dhe realizoi "Edhe unë jam një vepër arti", një ekspozitë ku të fotografuarit ishin fëmijë me sindromë Down duke treguar dhe një herë që më shumë sesa biznes, puna e saj është pasion dhe dashuri. Duket se puna me fëmijët e ka rritur profesionalisht, por njëkohësisht dhe i ka dhënë prej natyrës së tyre.

 

Rafaela Rica - Iceberg Communication

E diplomuar për anglisht, hyri në botën e marketingut krejt rastësisht kur nisi të punonte për gazetën Shekulli. Më pas, Rafaela vendosi të ngrejë një biznes në këtë fushë, së bashku me një mikeshë, me gjithë mosbesimin e të atit, ekonomist në Rrëshen që dyshonte që e bija do ia dilte e vetme me një biznes në Tiranë. Megjithatë, Iceberg Publicity, sot Iceberg Communication u hap në vitin 1999 dhe sot është një nga kompanitë më të njohura në fushën e reklamës, komunikimit, marrëdhënies me publikun dhe menaxhimit të eventeve. Një master në Administrim Biznesi do ta ndihmonte Rafaelën në sipërmarrjen e saj, ndërkohë që aktiviteti do rritej me shpejtësi, në numër punonjësish, por dhe projektesh që iu besoheshin. Firmën e Iceberg Communication mbajnë dekoret e Vlorës në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe bulveardit "Dëshmorët e Kombit" në Ditën e Verës, veç shumë eventeve apo produkte marketingu të realizuara prej saj. 

Afërdita Rrumbullaku - Kouzon Albania

Afërdita Rrumbullaku është drejtuese e Kouzon Albania. Znj. Afërdita është një sipërmarrëse e suksesshme në fushën e punësimit, sidomos për të rinjtë, të cilëve u jep mundësinë për të shpalosur aftësitë e tyre jashtë kufijve shqiptarë duke sjellë për herë të parë përmes degës së Kouzon, mundësinë e punësimit në kroçere.

Romina Ferra – Ital Optika

Ital Optika është optika e parë private në Shqipëri, e hapur 23 vite më parë nga një prej okulistëve më të njohur në vend. Ajo është e pranishme në treg që nga viti 1994 dhe prej disa vitesh drejtimin dhe marketingun e ka marrë në dorë, e bija e themeluesit, Romina Ferra. Ital Optika, veçse një optikë profesionale, është dhe një ndër stacionet e preferuar fashion të shumë prej VIP-ave shqiptarë, por dhe klientëve që vlerësojnë cilësinë dhe markat e veçanta.

Eva Çali Popescu - Grand Luxury Group

Administratorja e Grand Optica-s të hapur në zonën e ish-Bllokut në qershor të vitit 2015 ka vendosur të sjellë marka luksi në Shqipëri si Cartier. Ndoshta klientët nuk janë të shumtë në numër, për shkak të çmimit premium, por me siguri ata që i zgjedhin produktet e markave të njohura të kësaj optike, e ndiejnë ndryshimin. Eva është e angazhuar gjithashtu në bizneset e tjera të familjes, të gjithë butikë luksi që kanë sjellë në Shqipëri marka të njohura veshjesh, aksesorësh dhe parfumesh, siç janë Monopol Tirana, Red Diamond dhe StJoseph Albania, ku gjeni dhe Philipp Plein.

Greis Balla - Optika 1

Kur bëhet fjalë për biznes, femrat e kanë treguar se janë po aq të suksesshme sa edhe meshkujt. Disa prej tyre zgjedhin të qëndrojnë në hije, duke lënë punën e tyre të flasë me tepër. Një prej tyre është Greis Balla. Prej vitesh, ajo drejton një nga studiot më të njohura për syze në Tiranë, Optika 1. Gjithçka ka nisur me një optikë të vetme, ndërsa sot numëron plot 6 të tilla, me vendndodhje në Tiranë dhe Elbasan.

Orgeta Dervishi - Lux Optika

E rritur në një familje mjekësh, me një mama okuliste, ajo u bë natyrshëm pjesë e biznesit të familjes, së hapur fillimisht në Vlorë në vitin 2008. Më pas Lux Optika erdhi dhe në Tiranë me një optikë në bulevardin Zogu i Parë. Tashmë roli i Orgeta Dervishit si administratore e biznesit nisi të rritej. Që nga viti 2016 Lux Optika ka dhe një pikë në bllok, ku vazhdojnë realizohen vizita optimetrike dhe okulustike dhe ofrohen syze optike dhe dielli të markave më të njohura, me ndër më të fundit ekskluzive, Retrosuperfuture dhe Thierry Lasry.

Mirjam Huta - Interni Design

Interni Design në Galeria ETC është një nga sallonet e parë në Tiranë që kanë sjellë mobilie të markave të njohura. Administratorja Miriam Huta ka përdorur talentin e saj në design për të përzgjedhur linjat më elegante dhe cilësinë superiore. Aty gjeni emrat e njohur të mobilerisë SMA, Poltrona Frau, Kartell, apo SMANIA, ekskluzivitet i marrë në 2016-ën etj. si një përgjigje për të gjitha kërkesat tuaja të arredimit modern.

Greiss Petrović - Grace Models

“Grace Models” është një nga agjencitë kryesore që operon në Shqipëri në fushën e modelingut. E themeluar në vitin 2012 nga Greiss Petrović, fokusi kryesor i kësaj agjencie është menaxhimi dhe promovimi i modelëve. Në vitin 2012, “Grace Models” është licensuar nga Ministria e Punës dhe e ÇështjeveSociale si e para dhe e vetmja Qendër Kursesh Profesionale në fushëne modelingut në Shqipëri.

Alba Ruco - Argjendari "Pirro"

Studimet specifike në Londër për gurët e çmuar e orientuan Albën për të ardhmen e saj në Tiranë. Përfaqësuese e një prej argjendarive më të njohura në kryeqytet, Alba di më mirë se kushdo të flasë për domethënien, vetitë e gurëve tëçmuar, si dhe përshtatjen me natyrën e çdo personi. Vajza e argjendarit, që ka hapur argjendarinë më të njohur të kryeqytetit "Pirro", nuk është vetëm një përfaqësuese e biznesit familjar, por më shumë se kaq, një emër që ka krijuar elegancë në biznes, ashtu si vetë gurët e çmuar, gjuhën e të cilëve ajo tashmë e flet shkëlqyeshëm.

Elizabeta Hysi - tekstile Gjergji H

Sipërmarrëse e Gjergji H Tekstil - një prej distributorëve më të mëdhenj të shitjes me shumicë të tekstileve, që nga viti 1994, me një gamë të gjerë klientësh; restorante, hotele, fasonieri, kompani eventesh etj. Që kur ka marrë përsipër të menaxhojë një kompani kaq të madhe, Elisabeta e paramendonte se të përfaqësosh një biznes si tekstilet, do të thotë të furnizosh një shoqëri me stil.
E diplomuar në UT, në vitin 1989 për Mercologji dhe në vitin 1996 për Financë, Elisabeta e kuptoi shpejt se biznesi do të ishte ambicia e saj primare. Sot numëron plot 27 vjet në biznes dhe jo pak zëra biznesi nën administrimin e saj: një dyqan me veshje për fëmijë “VIP Junior”, (ETC), “Martizza Studio” në zonën e ish-Bllokut, “Sassofono Multibrand” (ETC), “Luiseta” me veshje luksoze për meshkuj me marka si Philip Plein, Corneliani, Angelo Nardeli etj. Prej 2-vjetësh, Elisabeta dhe bashkëpunëtorët e saj në biznes kanë hapur portalin online www.Luiseta.com, një faqe që synon edhe shitjen në tregun ndërkombëtar. Prej vitit 2015, Elisabeta është edhe aksionere e bankës Credins.

Frida Banushi - Floral Fantasy

Prej 12-vitesh floriste, Frida Banushi ka ndryshuar pamjen e eventeve të ndryshme, të vogla apo të mëdha, me punimet e saj floreale. Ajo ka sjellë përvojën italiane në Tiranë ku ka hapur në zemër të qytetit, në hyrje të ish-Bllokut, dyqanin e luleve "Floral Fantasy". Në bashkëpunim me Class Events, Frida ka realizuar arkitekturën floreale të disa eventeve të rëndësishme në kryeqytet ku mund të përmendim, dasmën e Princ Lekës dhe Princeshës Elia Zaharia në Pallatin e Brigadave.

Lida Ferrollari - Qendra dietike "Silhoutte"

Dietologia Lida Ferrollari njihet mirë nga shumë prej qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur të jetojnë shëndetshëm duke porositur vaktet e tyre në qendrën dietike "Silhouette". Pasi ka kryer një master në Ancona, dietologia Lida Ferrollari është kthyer në Tiranë ku ka hapur qendrën dietike "Silhouette". Aty, çdo klienti i përcaktohet në bazë të matjeve të treguesve truporë, dieta e shëndetshme dhe pastaj mund t'i dërgohet çdo ditë në adresën e përcaktuar, e sapogatuar. Një shërbim që sigurisht ka ndryshuar mënyrën e jetës së njerëzve që e kanë zgjedhur, bashkë me shifrën e shfaqur në peshore.

Blerina Bombaj - Blerina Bombaj Diet, Blerina Bombaj Farm

Prej 10-vitesh, Blerina Bombaj ka zyrën e saj dietologjike Blerina Diet që ofron këshillim ushqimor të bazuar në rekomandimet shkencore. Bombaj është gjithashtu prezente në emisionin “E diela shqiptare”, ku çdo të diel jep rekomandimet e saj për sa i përket ushqyerjes së shëndetshme. Gjithashtu, Bombaj zotëron edhe restorantin “Blerina Farm”, në periferi të Tiranës, mbështetur në një menu me produkte të freskëta dhe organike.

Servete Agia - Qëndistari Agia

Servete Agia është një qëndistare shkodrane e cila e ka kthyer në një markë të njohur emrin e saj. Qëndistari Agia me qendër në Shkodër, pas 21-vitesh, që kur zonja Servete ka nisur të punojë si qëndistare, numëron mbi 10 të punësuar, dërgon porosi në të gjithë Shqipërinë përmes faqes së saj që ka hapur në vitin 2012 dhe ka një pikë shitjeje në Tiranë në bulevardin "Zogu i parë". Shumë shtëpi apo lindje fëmijësh janë zbukuruar me punimet artizanale të dedikuara të kësaj qëndistarie, e cila prej vitesh punon e përkushtuar në një fushë aspak të lehtë.

Benisa Kaçe - Çelësi

Benisa Kaçe e ka në dorë Çelësin e suksesit. Kjo kompani ka sjellë shërbime të domosdoshme për çdo hapësirë urbane, ku veçojmë Gazetën Çelësi, portalin dhe gazetën më të madhe në vend për njoftime, Letrat e Verdha me informacion për të gjitha bizneset dhe disa veprimtari të tjera në fushën e komunikimit, medias dhe udhëtimeve. Benisa, CEO e Çelësit, ka ditur të drejtojë me sukses një biznes në një fushë shumë dinamike, duke arritur ta kthejë në një emër të qëndrueshëm dhe në rritje.

Mirlinda Boshnjaku - Montessori School of Albania dhe WAT

Mirlinda Boshjaku themeloi 10 vite më parë institucionin arsimor Montessori-Albania që kishte për qëllim të zhvillonte arsimin ndërkombëtar në Shqipëri duke sjellë për herë të parë metodën më holistike në zhvillimin e fëmijëve nëpërmjet "International Montessori School of Albania", për moshat 0 - 6 vjeç (program autentik i akredituar) dhe më vonë World Academy of Tirana (WAT) me 3 programe të autorizuara nga International Baçalaureate (PYP, MYP & DP) për moshat 5 - 18 vjeç.

Montessori dhe WAT, që prej 10 vitesh, ofrojnë arsim ndërkombëtar elitar në 2 institucionet arsimore ku mësojnë fëmijë dhe mësues nga 40 vende të ndryshme të botës, të cilët i japin kuptimin e vërtetë mendësisë ndërkombëtare që shkolla dhe programet predikojnë.

Semiha Molla dhe Ludmilla Stefani-Qendra e Gjuhëve të Huaja Universi

Asgjë nuk e ndryshon një qytet si dija dhe për këtë arsye, Semiha Molla dhe Ludmilla Stefani kanë një meritë të veçantë për hapjen e qendrës së parë të gjuhëve të huaja në Shqipëri, Universi. Ajo është themeluar në vitin 1995 dhe prej kohësh numëron 30 mijë studentëve që kanë studiuar në këtë qendër. Universi nisi si qendër e mësimit të gjuhës angleze, por tashmë ofron një gamë të gjerë njohurish në fusha të ndryshme duke i kushtuar gjithmonë rëndësi mësimdhënies.

Brunilda Paskali - Wisdom Education Center

Brunilda Paskali është themeluesja dhe administratorja e një prej qendrave të gjuhëve të huaja më të mëdha në Tiranë, Wisdom. Për një periudhë disavjeçare,Wisdom operoi dhe në tregun e arsimit të lartë. Wisdom, e themeluar që në vitin 1996, me disa pika në Tiranë, është dhe qendër e autorizuar e provimeve Toefl, duke thjeshtëzuar rrugën e dijes dhe arsimit të grupmoshave të ndryshme.

Roberta Mone Ndokaj - Let's Dance

Prof.Asc. Roberta Mone Ndokaj është pedagoge dhe koreografe në Universitetin e Arteve, por megjithatë ajo gjithmonë kishte ëndërruar të mësonte fëmijët dhe sot e ka përmbushur me shkollën e baletit për fëmijë, Let's Dance pranë stadiumit Qemal Stafa. Kjo shkollë mëson dhe të rritur që, për kënaqësi apo një ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre, duan të vallëzojnë si profesionistë. Roberta është dhe autore e librit me të njëjtin titull "Let's dance", kushtuar baletit, që iu drejtohet prindërve, mësuesve dhe fëmijëve për të nxitur talentin në këtë art.

Arlinda Dudaj- Shtëpia botuese Dudaj

Një jetë mes librave dhe më shumë se 17 vjet si themeluese e njërës prej shtëpive më të njohura botuese në vend, “Dudaj”, Arlinda është i pari personazh në ҫdo panel ku flitet për librat apo ndikimin e tyre në shoqërinë dhe të rinjtë shqiptarë. Nëse do të ndryshosh mendësi, ta shohësh librin si prioritet, si nevojë për të njohur më shumë veten, dëgjo të paktën 10 minuta Arlindën për të kuptuar pasionin që ka për librin dhe besimin e plotë se jeta është më e bukur nëse pranë vetes mban gjithmonë diçka për të lexuar.
Në “Dudaj” titujt janë të pafund, pavarësisht sezonit: fillojnë me emra nobelistësh e përfundojnë tek ata që nuk bëjnë as zhurmën më të vogël (as si autorë e as si tituj), por të mbajnë deri në orët e para të mëngjesit pa gjumë. Nëse kjo e fundit ndodh, atëherë Arlinda dhe “Dudaj” ia kanë arritur asaj që duan.

Irena Toçi - Shtëpia botuese Toena

Drejtuese ekzekutive e shtëpisë botuese Toena, së bashku me bashkëshortin e saj, Irena nisi punën pranë kësaj ‘shtëpize’ në vitin 1993 me vetëm tre punonjës. Ndërsa sot, një prej emrave më të rëndësishëm në fushën e botimeve, Toena dhe bashkë me të edhe Irena, janë kthyer në një fuqi që sjell vit pas viti tituj të jashtëzakonshëm që duhet t’i kesh me çdo kusht në bibliotekë. Irena është një emër i rëndësishëm që qëndron krah një biznesi, i cili vitet e fundit po zgjon edhe më shumë interes ndër të rinjtë. Ky është edhe një qëllim i rëndësishëm i Toenës dhe vetë Irenës.

Loreta Berhami - Botime Pegi

Drejtuese e sektorit të librit artistik të Pegi-t, përfshirja e plotë e Loretës në biznesin e familjes së saj në fushën e botimeve është mëse e ndjeshme, që nga viti 2011, kur ajo vendosi të përqendrohej në fushën e botimeve. Me një formim ekonomik, bachelor dhe master shkencash në një nga universitetet më të njohur evropianë, Università Bocconi në Itali dhe me një MBA në IMB Business School në Zvicër, Loreta la karrierën në bankë për t'iu përkushtuar librave, një pasion që e ka shoqëruar gjithë jetën. Edhe pse jeton jashtë, ajo drejton gjithë veprimtarinë e Botimeve Pegi, promovimin e librave të rinj dhe gjithë aktivitetet në këtë fushë.

Flutura Açka - Skanderbeg Books

Shkrimtarja e njohur është themeluese, bashkë me bashkëshortin, e shtëpisë botuese “Skanderbeg books”, e cila ka botuar për lexuesin shqiptar një numër të konsiderueshëm nobelistësh të njohur. Në dhjetor 2016, Flutura Açka është vlerësuar me titullin “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani – çmim që ia kushtoi lexuesit të saj. Me modestinë e pashoqe dhe altruizmin që e karakterizon, Flutura nuk mban asgjë për vete – një burim krijimi i pashtershëm për lexuesin e saj. Flutura është autore e disa librave, “Vetmi gruaje”, “Zbathur”, “Kukullat nuk kanë atdhe”, “Ftesë për flirt” etj.

Alketa Zyfi - Yogurteria

Që në pikën e parë, Yogurteria solli një ajër të freskët në Tiranë, prej produkteve të shëndetshme, të lehta e të shijshme, bardhësisë së dekorit dhe mjedisit të këndshëm. Tashmë janë disa pika, një në ish-Bllok, një në Rrugën e Elbasanit, një në TEG dhe tjetra te qendra tregtare Toptani Center. Pas tyre qëndron Alketa Zyfi, një mama e re, e diplomuar në Itali, e cila i rri në kokë këtij biznesi që sa vjen e zgjerohet dhe pasurohet me shije. 

Dhurata Thanasi Daneri - Luga e Argjendtë

Kjo është zonja që qëndron pas Lugës së Argjendtë, një nga blogjet më të veçanta të ushqimit dhe gatimit në Shqipëri, i hapur në vitin 2012. Dhurata kombinon traditën me fantazinë duke sjellë gatime speciale, por mbi të gjitha të shëndetshme, meqenëse produktet e freskëta, lokale janë një nga bazat e kuzhinës dhe filozofisë së saj, që po punon ta përhapë në shkollat e Tiranës përmes një projekti të veçantë. Tashmë Luga e Argjendtë, është një restorant në rrugën Nikolla Tupe në ish-Bllok, por dhe një pikë shitjeje e vogël në rrugën Nikolla Tupe, me receta dhe produkte të freskëta dhe të veçanta, organike, ku mund të gjeni dhe ëmbëlsirat e një tjetër vajze të talentuar të qytetit, Kristi Janku.

Fiona Ruli - Veranda

Fiona Ruli është një nga administratoret më të reja në moshë, të bizneseve në Tiranë. Ashtu si dhe biznesi që ajo drejton, restorant “Veranda”. Hapur në maj të 2015-ës, në TEG, ky restorant me kuzhinë italiane synonte të sillte një shërbim dhe mjedis unik në një zonë të Tiranës ku të gjitha këto mungonin. Sigurisht nuk mund të vepronte pa ide të qarta, Fiona, e cila ka studiuar fillimisht në Oksford, e më pas në Londër ku është diplomuar për Biznes Ndërkombëtar dhe Ligje në Kingston University. Sakaq, mamaja e Fionës, Alueta Ruli, është administratore e një tjetër bar-restoranti në Tiranë, që ka sjellë elegancën e mjedisit dhe shërbimit dhe shijen e pastave italiane në qendër të qytetit, në restorant Living në ETC Galeria.

Erjola Braha - Alehandro Distribution dhe Vila Alehandro

Një aktivitet që nisi dhe vazhdon me distribucionin e verërave, të ardhura nga viset më të njohura për shijen superiore të pijes që ka bërë botën të dashurohet pas saj dhe më pas i zgjeruar me një bar dhe restorant ku këto verëra mund të shijohen me elegancë. Vila Alehandro-n në Bllok, e njohin të gjithë. Një vilë e vitit 1941 e dekoruar me stil, shërben si një pikë takimi e mbi të gjitha si një vend për të shijuar verë të mirë. Administratore e këtij biznesi familjar është Erjola Braha e cila e ka kohën të mbushur me vizita në vreshtat, kantinat e panairat e verërave të njohura që i shijon para se ato të vijnë në Shqipëri dhe ka ditur të drejtojë me sukses biznesin e familjes së saj që tashmë është kthyer në një emër të njohur duke sjellë një ndryshim cilësor në stilin e jetës në qytet.

Brizida Jano-Padam Boutique Hotel & Restorant

Padam është një emër i njohur në Tiranë, por pas rihapjes në vitin 2016, nën një menaxhim të ri të Brizida Janos dhe Alba Frangajt, është veshur me një tjetër auerolë, duke ofruar në mjediset e kopshtit dhe vilës në rrugën Papa Gjon Pali II, shërbimet më të mira të hotelerisë, restorantit dhe barit. Ka afruar madje dy nga emrat më të njohur të këtyre fushave, Fundim Gjepalin si chef restoranti dhe Briken Fejzulliu, aka. Kryetari i Natës i Bashkisë së Tiranës si menaxher bari. Idetë janë plotësisht të gjinisë femërore.

Eva Mane - Yamato

Ajo është shumë pak e pranishme në media, por lë punën e saj të flasë më shumë për të. Eva Mane është një ndër gratë që i kanë ndryshuar “fytyrën” kryeqytetit, me vizionin për të hapur një prej restoranteve më të veçantë në qytet. “Yamato” është restoranti i parë në Shqipëri, i specializuar në ushqimin japonez, i cili operon prej vitesh në treg. Eva është bashkëshortja e njeriut më të pasur në Shqipëri, Samir Mane.

Melisa Huqi (Boletini) Mulliri i Vjetër

Mbesa e heroit të popullit, Isa Boletinit, tashmë një ndër femrat më të suksseshme në fushën e biznesit. "Mulliri Vjetër" është kompania që ajo dhe bashkëshorti i saj drejtojnë. Melisa e zgjeroi sipërmarrjen e saj me lokale e kafeteri në Tiranë duke krijuar tashmë një zinxhir coffee shop-esh në gjithë Tiranën, Durrës e së shpejti në shumë qytete të tjera të Shqipërisë.
Me një shërbim që më parë nuk ishte i frekuentuar: me vetëshërbime, me një stil të ri për kryeqytetin dhe më një dekor unik. Një design totalisht i ri që e ka hijeshuar Tiranën në çdo kënd të saj, një koncept i ri i të bërit biznes që e ka bërë argëtuese konsumin e kafes, ambient komod dhe shumë bashkëkohor. Mbi të gjitha thyerje tabush dhe paragjykimesh pasi "Mulliri i Vjetër" me përkushtimin e Melisës (e cila vazhdon t’i përzgjedhë vetë me shumë kujdes) ishte kompania e parë që punësoi VETËM vajza në lokalet e saj. Ishte një fillim i vështirë, mes paragjykimeve të kohës, por që ka triumfuar suksesshëm në ditët e sotme. Shumë shpejt u kthye në trend për të gjitha grupmoshat. Cilësia e produktit është një pikë që Melisa dhe Lulzimi nuk kanë bërë kurrë kompromis.

Kompania është vlerësuar me çmime kombëtare e renditur si kafeja më e preferuar nga klientët. Një kafe te "Mulliri i Vjetër" në Tiranë, që vetëm emrin ka të tillë, sepse në çdo orë të ditës gumëzhijnë të rinjtë, është një kafe që shijon njëlloj me traditën.

Elisabeta Gjoni - Amadeus Palace

Së bashku me bashkëshortin Besim Elshani, Elisabeta Gjoni është bashkëpronare dhe ideatore e një hoteli që përshëndet këdo që vjen në Tiranë. Amadeus Palace, si emri i kompozitorit Mozart, një godinë e shtrirë mbi kodër, që vihet re lehtësisht kur hyn apo del nga Tirana, nuk është vetëm një ndërtesë madhështore, por më shumë se aq, përfaqësues i dy njerëzve kreativë që sytë i kanë drejt kupolës – për ta parë shërbimin e hotelerisë si një nevojë që më shumë se gjithçka, vlerëson qetësinë dhe luksin e një kohe cilësore. Amadeus Palace i ka dhënë një imazh krejt të ri kryeqytetit.

Fjodora Fjora - Nama Sushi

Moderatorja dhe gazetarja e “Chic” në News 24, nuk ka pikë të fortë vetëm gazetarinë. Njohëse e mirë e kulturës jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare, Fjodora është bashkëpronare e një restoranti me kuzhinë japoneze. “Nama Sushi”, pjesë e rrjetit të njohur “Nama Sushi” në botë, ka sjellë në Shqipëri një nivel të ri shijeje. Në qendër të gatimeve janë, natyrisht, sushit, sashimit dhe lloje të ndryshme të kuzhinës orientale, të cilat po kërkohen gjithmonë e më shumë edhe në vendin tonë. Elegancën, Fjodora e shtriu edhe jashtë ekranit duke krijuar një ambient për të gjithë ata që kanë shije të hollë e pikante, në restorantin e vogël që ofron dhe delivery, të ndodhur në rrugën Nikolla Tupe.

Rovena Dilo - Tree House Lounge Tirana

Kush nuk e ka pirë një kafe te “Rovena” nëzonën e ish-Bllok-ut në Tiranë? Një ndër baret më të frekuentuara për vite me radhë e identifikoi Rovenën edhe si një businesswoman të suksesshme. Jashtë muzikës, këngëtarja iu përkushtua për shumë vite biznesit, por prej disa kohësh, pas një konflikti për pronën, është zhvendosur në një ambient të ri dhe jo më pak të bukur, investim i vëllait të saj. Miqtë dinë ta gjejnë Rovenën në çdo vend në Tiranë: ‘Tree House Lounge Tirana’, në Rrugën e Elbasanit, është gjithmonë i ngrohtë – për miqtë e Rovenës dhe për të gjithë ata që duan të kalojnë disa orë të qeta pas zhurmës kaotike të përditshmërisë kryeqytetase.

Efi dhe Kristina Neranxi-Divina

Efi dhe Kristina janë shumë larg stereotipit “vajzat e babit”. Dy bukuroshet, përtej marrëdhënies së mirë si motra, janë edhe bashkëpunëtore në biznes. Ato, veç roleve në kompaninë Neranxi, janë investitoret kryesore të Divina Boutique Hotel, në zonën e ish-Bllokut, i cili u parapri nga Divina pranë Liqenit Artificial që solli një koncept ndryshe të pastiçerisë. Dy motrat, sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, duket se kanë trashëguar nga babai i tyre, Kristaq Neranxi, aftësinë e të drejtuarit me sukses të çdo iniciative që marrin.

Mirjana Kuka - Diplomat

Mirjana Kuka, tashmë drejtuese prej shumë vitesh e Diplomat Fashion Hotel & Spa, nuk është tutur asnjëherë përballë sfidave apo vështirësive që fusha e hotelerisë, për hir të së vërtetës, nuk i ka pakta. Përkundrazi, ajo sukseset dhe arritjet i ka bërë pjesë tëjetës, sepse motoja e saj “klienti është punëdhënësi im” ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor – themeli mbi të cilin ngrihet një biznes i suksesshëm. Ajo nisi punën në Hotel Diplomat atëherë kur kultura mbi hotelerinë e turizmin në vendin tonë ishte e vakët, por iniciativa, guximi për të ndërmarrë sipërmarrje, cilësi që pakkush i gëzonte në ato kohë, nuk e lanë asnjëherë në baltë. Diplomat është tashmë markë në hoteleri e shërbim restoranti, sepse Mirjana, por edhe i gjithë grupi i punës që fshihet pas saj, kanë sjellë atë që u duhet më shumë klientëve – standard i lartë dhe përgjegjësi profesionale për të sjellë te konsumatori “atë për të cilën ai paguan”.

Marie-Thérèse Marchal-Bukë dhe Ëmbëlsira Franceze

Nuk mund të sjellësh një copë France në Tiranë e të mos e ndryshosh atë. E hapur në vitin 1999, pastiçeria që do të thirrej "Buka franceze", në hyrje të ish-Bllokut u bë një pikë referimi për atmosferën e ngrohtë dhe sidomos ëmbëlsirat që gjeje aty. Ishte ideja e Marie-Therese Marchal, e cila jetonte në Shqipëri. Asaj i mungonin siç duket produktet, kruasanët dhe buka e Francës dhe e krijoi pastiçerinë e saj franceze në Tiranë. Ajo ishte e specializuar për ëmbëlsira në vendin e saj, ndaj e pati të lehtë ta niste këtë punë. Dyqani ofron bukë, ëmbëlsira dhe ushqim francez të cilësisë së lartë. Një vend i pëlqyer nga të gjithë francezët që vizitojnë Tiranën dhe shqiptarët që duan të vizitojnë Francën brenda Tiranës.

Ana Lucia Ramazzini-Pastelito Cake Boutique

Ana Lucia Ramazzini është një Chef ëmbëlsirash dhe diezenjuese tortash me prejardhje italiane dhe spanjolle, por jeton në Tiranë duke qenë që është martuar me një kirurg shqiptar zemre. Ajo ka studiuar në Itali, Londër dhe Amerikë me specialistë të njohur të fushës së ëmbëlsirave. Dëshira e saj për t'u ofruar diçka të re njerëzve në kërkim të kreatives dhe së resë, të personalizuarës dhe mbi të gjitha të shijshmes, e frymëzoi për të krijuar Pastelitos Cake Boutique në 2011-ën. Produktet e përdorura janë të gjitha brenda standardeve të BE-së, ndërsa dekorimet të bëra me dorë u japin tortave një pamje krejtësisht unike.

+

Ju! Ju nuk e keni emrin në këtë shkrim kopertine, por kjo nuk e bën më të vogël suksesin apo meritën tuaj. Ju e bëtë 100-ën të dukej një numër i vogël, siç keni bërë në sipërmarrjet tuaja, me paragjykimet, mosbesimin, pengesat, vështirësitë për ta kaluar shumë herë atë që dikush mund të priste nga ju.

Kopertina - Dizajni: Petro Kosho