Emma Morano, gruaja që mendohet të ketë qenë më e vjetra në botë, është ndarë nga jeta këtë të shtunë në moshën 117-vjeçare, sipas mediave italiane. Morano vdiq në shtëpinë e saj në Verbania, Italinë e Veriut, sipas raportimeve. "Pati një jetë të jashtëzakonshme dhe do të mbahet mend gjithmonë për forcën e saj, frymëzim për të gjithë ne që duam të ecim përpara”, - ka thënë kryebashkiaku i Verbanisë për Morano.

Në një intervistë për La Stampa, 5 vjet më parë, ajo ka treguar se i fejuari i kishte vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas ajo kishte qenë e detyruar të martohej me dikë që nuk e donte: “Nëse nuk pranon të martohesh me mua, unë do të të vras”, – thoshte Morano për propozimin: “Unë isha 26 vjeҫ atëherë. U martuam… Nuk kisha një martesë të lumtur.”

Ҫifti patën një djalë që lindi në vitin 1937, por foshnja vdiq 6 muaj pas lindjes dhe vitin e ardhshëm Morano u nda nga bashkëshorti: “U ndava në vitin 1938. Mendoj se isha ndër të parat që e bënin këtë në Itali në ato vite”

Morano jetonte vetëm dhe ka 8 vëllezër dhe motra, bashkë me një vëlla që vdiq në moshën 102-vjeҫare. Ka jetuar gjithmonë me një dietë të balancuar: “Kur e kam njohur, hante 3 kokrra vezë në ditë. Dy të gjalla dhe  një të zier. Sot ka ndryshuar vetëm pak, duke e reduktuar numrin në dy. Ndonjëherë thotë se 3 kokrra në ditë janë shumë", - ka thënë doktori i saj, Carlo Bava, për Reuters TV.

"Nuk ka ngrënë kurrë shumë fruta dhe zarzavate. Karakteristika e saj për gjatë këtyre viteve ka qenë të hante të njëjtën gjë, ҫdo ditë, ҫdo javë, ҫdo muaj dhe ҫdo vit.”